Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka akuzuar Serbinë për përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës teksa tha se kanë ndërhyrë në punët e brendshme të Prishtinës.
Në një konferencë për mediat, Kurti iu përgjigj edhe paralajmërimit të të dërguarit të Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili tha se konflikti në veri të Kosovës ka potencialin të shndërrohet në konflikt rajonal.
“Përshkallëzimi është pasojë e përzierjes së Beogradit në punët e Kosovës. Nëse ka të drejtë Escobar, adresa ku do të duhej të merremi në mënyrë që nga veriu i Kosovës të mos kemi konflikt rajonal, është me siguri Beogradi. Lajçak do ta ketë patur fjalën për Vuçiç sepse atje ka demonstrata. Nëse i interesojnë dikujt gjakderdhjet, luftërat është Beogradi. Atje ka demonstrata kundër pushtetit, në Kosovë ka krizë për rendin dhe ligjin në veri, por jo krizë për qeverinë. Marrëveshja bazike ka në qendër njohjen reciproke”, tha Kurti.
Ndalur te ftesa e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, Kurti, ka konfirmuar se do të marrë pjesë, por shtoi se do të shkojë atje për të prezantuar gjithë dokumentacionin që ka Kosova për rrëmbimin e policëve të Kosovës nga Serbia.
Kurti tha se shtensionim i situatës nënkupton lirim të policëve dhe dënimin e “agresionit” të Serbisë për këtë rast.
“Unë së pari erdha t’ju njoftoj me këto të gjetura që janë interes i madh edhe i familjeve edhe në opinion. Jam i gatshëm dhe i interesuar që të shkoj në takimin e radhës në Bruksel që të paraqes hollësisht këto të dhëna që i morëm dhe ta kuptojnë se deskalimi i situatës që po e kërkojnë të gjithë nënkupton lirimin e menjëhershëm dhe pakusht të tre policëve dhe dënimin e agresionit të Serbisë në Kosovë. Unë dua të kemi takim të nivelit të lartë ku sekuencimin e balancuar e trajtojnë me seriozitet maksimal. Gatishmëria ime është e garantuar dhe procesi në vijim duhet të jetë zbatim i marrëveshjes bazike, jo proces për Asociacionin”, u shpreh Kurti.
Sa i përket 3 policëve të Kosovës që janë ende në paraburgim në Serbi, Kurti tha se ata kanë qenë duke drekuar në momentin që janë marrë nga forcat serbe.
“Kanë qenë duke ngrënë drekë së bashku kur 15 persona i kanë rrethuar dhe i kanë sulmuar. Të tre kanë qenë bashkë dhe që të tre e thonë rrëfimin e njëjtë kur pyeten ndaras nga njëri tjetri nga ambasadori ynë Jashari. Kjo heq çdo lloj dileme për të drejtën e Kosovës. Vendi ku ndodhej tryeza e ngrënies është 7 metra larg makinës së policisë”, tha Kurti.