Rusia ka kërcënuar me sulme të menjëhershme nëse armë perëndimore me rreze të gjatë verprimi përdoren për të sulmuar gadishullin e Krimesë.
Ministri rus i Mbrojtjes Sergej Shoigu, në një deklaratë thotë se një sulm ndaj Krimesë me raketa Himars dhe Storm Shadow do të përbënte një sulm “jashtë zonës së operacionit ushtarak special” dhe do të nënkuptonte “përfshirjen e plotë të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe në konflikt”.
Sipas informacioneve tona, udhëheqja e forcave të armatosura të Ukrainës planifikon të godasë territorin e Federatës Ruse, përfshirë Krimenë, me raketa Himars dhe Storm Shadoë.
“Përdorimi i këtyre raketave jashtë zonës së operacionit special ushtarak do të nënkuptojë përfshirjen e plotë të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe në konflikt dhe do të sjellë goditje të menjëhershme në qendrat vendimmarrëse në territorin e Ukrainës”, thuhet në deklaratë.
Shoigu pohoi gjithashtu se Rusia ka zmbrapsur mbi 200 sulme nga Ukraina në javët e fundit, sipas The Guardian.
“Që nga 4 qershori, forcat e armatosura të Ukrainës kanë nisur 263 sulme ndaj pozicioneve të trupave ruse. Falë veprimeve kompetente dhe vetëmohuese të njësive tona, të gjitha u zmbrapsën, armiku nuk ia arriti qëllimit”, tha ai.
Ukraina pretendon se ka rimarrë të paktën tetë vendbanime gjatë asaj periudhe kohore dhe ka avancuar frontin në rajonin e Zaporizhzhia me disa kilometra.
Moska aneksoi Krimenë në mënyrë të jashtëligjshme nga Ukraina në vitin 2014.