Ish-zëvendës kryeministri, Arben Ahmetaj u paraqit të enjten në Strukturën e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), ku u mor në pyetje për gjashtë orë rresht për aferën e incineratorëve.
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku bëri me dije në një emisioni tv, se pozita e Ahmetajt është rënduar për shkak se, sipas saj, janë zbuluar kontakte personale të tij me pronarë të inceneratorëve, ndërsa më parë ai kishte dëshmuar se nuk kishte asnjë njohje me ta.
“Akuzat janë bazuar mbi një pjesë të madhe të punës së komisionit hetimor. Ahmetaj, si në pozicionin e Ministrit të Ekonomisë dhe më pas të Financave ka qenë personi që ka ideuar, ka ndjekur zbatimin, që ka bërë pagesat, që i ka dalë për zot aferës së inceneratorit. Pozita e tij është vështirësuar kur kanë dalë edhe kontaktet personale të tij me pronarët e inceneratorëve në një kohë kur ai ka dëshmuar që s’kishte asnjë njohje me ta”, tha Tabaku.
Sipas deputetes, përveç inceneratorëve, Ahmetaj po hetohet edhe në lidhje me 2 privatizime, njëri prej të cilëve në zonën e Astirit në Tiranë, vendime të marra në kohën kur ai ka qenë Ministër i Ekonomisë.
“Me aq sa u informova nga SPAK, ai po hetohet edhe me akuza të tjera, vendimmarrje që lidhen me 2 privatizime si Ministër i Ekonomisë, një që unë e kam denoncuar një privatizim në zonën e Astirit. Diskutimet e tij kanë qenë komplekse, për çështjet e inceneratorët në radhë të parë, por edhe funksionet e tij të tjera si Ministër i Ekonomisë. E rëndësishme në këtë proces është që këto vepra të mos parashkruhen dhe të mos kufizohemi në një grup të vogël zyrtarësh sepse janë të paktën 10 zyrtarë të lartë të përfshirë”, u shpreh Tabaku.
Ahmetaj është nën hetim për 4 akuza, shpërdorim detyre, korrupsion, pastrim parash dhe përftimi të paligjshëm të interesave. Bëhet fjalë për përfshirje në ndërtimin e incineratorit të Elbasanit ku po hetohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion, si dhe për pastrim parash pas kallëzimit që i është bërë për vilën në bregdetin e Hamallajt.
Kujtojmë se Apeli i Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO) rrëzoi pretendimet e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj lidhur me sekuestrimin e dy vilave në emër të ish-gruas dhe bashkëjetueses së tij.
Vilat janë në Hamallaj dhe në Palasë, ndërsa Byroja Kombëtare e hetimit dhe SPAK dyshojnë se ato janë përfituar nga veprimet e jashtëligjshme të ish numrit dy të qeverisë.
Gjatë kontrollit te vila në zonën e Hamallajt, u sekuestruan 30 mijë euro dhe një sërë dokumentesh.