Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka dhënë detaje në lidhje me armët e gjetur në Zveçan të premten (23 qershor) në një makinë me targa serbe.
Në një konferencë për mediat, Sveçla tha se qëllimi ishte përdorimi i këtyre armëve për sulme terroriste ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës.
Ai bëri me dije se automjeti ku u gjetën, rezulton pronë e një ndërmarrje publike shtetërore të Serbisë, konkretisht shoqëria aksionare e hekurudhave.
“Puna serioze e Policisë së Kosovës dhe AKI-ja shmangën nja sulm terrorist ndaj Kosovës. Siç edhe jeni njoftuar mbrëmë u identifiku një makinë me targa të Beogradit rreth 100 metra larg komunës së Zveçanit, ku janë zbuluar sasi të mëdha të armatimit, mjeteve eksplozive dhe municioneve të ndryshme, përfshirë armë automatike, shok bomba, uniforma dhe çanta ushtarake. Këto mjete kishin për qëllim realizimin e sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës. E gjithë kjo është një dëshmi e radhës që presidenti serb përmes këtyre grupe po tenton destabilizimin e vendit tonë. Kjo veturë është identifikuar si pronë e një ndërmarrje publike shtetërore të Serbisë. Saktësisht shoqëria aksionare e hekurudhave të Serbisë”, tha ai.
Sveçla shtoi se do t’i kërkojnë qeverisë shpalljen si organizata terroriste të dy organizatave të serbëve në veri, “Mbrojtja Civile” dhe Severna Brigada”.
“Nga gjithë kjo është më se e qartë se kush qëndron pas sulmeve në vendin tonë. Ditëve në vijim unë do të kërkojë nga Qeveria e Kosovës që organizata “Mbrojtja Civile” dhe Severna Brigada”, të shpallen organizata terroriste. Që nga paslufta Republika e Kosovës ka vijuar që të përballet me agresionin e Beogradit zyrtar. Sidomos në kohët e fundit kanë intensifikuar sulmet terroriste ndaj PK-së, veturave të tyre, stacioneve policore, sulmet ndaj pjesëtareve të KFOR-it, EULEX-it si dhe gazetarëve e deri tek brutaliteti ndaj qytetarëve tanë në veri të vendit”, u shpreh ai.