Deputetja e parlamentit të Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, ka vazhduar me kritika të ashpra ndaj Bashkimit Evropian, pasi kjo e fundit ka përgatitur masa ndëshkuese ndaj Kosovës.
Ne një shkrim në Twitter, të mërkurën, Kearns tha se diplomacia e BE-së ka dështuar në raport me Kosovën.
Ajo ka shtuar se BE-a nuk po tregon produktivitet për deeskalimin e situatës në veri, dhe kështu po e inkurajon Beogradin për të vazhduar më tej.
“Bashkimi Evropian është joproduktiv për de-përshkallëzimin e situatës në veri, duke inkuarjuar Beogradin i cili: -Ndërhyri në zgjedhjet, rrëmbeu ilegalisht tre policë të Kosovës, financon militantët. Megjithatë nuk ka pasoja. Kjo është e rrezikshme”, ka shkruar Kearns.
Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim i Komisionit Evropian, Jan Koopman dje ka thënë se po përgatiten një sërë masash ndaj Kosovës.
Ai përmendi pezullimin e punës të të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA), pezullimin e financimit të programeve të BE-së, mosmiratimin e projekteve nga Fondi për investim në Ballkanin Perëndimor si dhe pezullimin e takimeve në nivele politike.