Me një karrierë mbresëlënëse mbi shpatulla, Cesc Fabregas ka shpallur këtë të shtunë në moshën 36-vjeçare lamtumirën e tij nga futbolli i luajtur.
“Me pikëllim të madh ka ardhur koha për të varur këpucët në gozhdë. Unë do të vlerësoj çdo moment, që nga ditët e para në Barcelonë, te Arsenal, përsëri si Blaugrana, te Chelsea, Monaco dhe në fund te Como. Nga Kupa e Botë, tek evropianët, fitoret në Angli, Spanjë, fitimi i trofeve evropiane, janë të gjitha pjesë një udhëtimi që nuk do ta harroj kurrë. Për të gjithë ata që më kanë ndihmuar, shokët e mi të ekipit, trajnerët, drejtorët, presidentët, pronarët, fansat dhe agjentin tim; për të gjithë familjen time, nga prindërit e mi tek motra ime, gruaja ime dhe fëmijët e mi, të cilët më kanë dhënë gjithmonë këshilla dhe kanë qenë gjithmonë një udhërrëfyes; për kundërshtarët e mi me të cilët kam ndarë beteja të mëdha në fushë: Faleminderit që më bëtë më të fortë.“
Postimi i spanjollit legjendar në rrjetet sociale
Pavarësisht largimit nga fusha e blertë, Fabregas do të vijojë punën si trajner i Primavera-s dhe i ekipit B të Comos, por edhe si aksioner i klubit.
Me fanellën blu ai luajti vetëm 17 ndeshje dhe regjistroi dy asistime, duke vendosur kështu të largohej një vit para skadimit të kontratës.
Në kabinetin e tij të trofeve ish-kapiteni i Arsenal ka një Botëror dhe dy Kampionatet Evropiane me Spanjën , por edhe një Botëror për Klube dhe një Superkupë UEFA me Barcelonën , me të cilën ai fitoi njëherëLa Liga-n. Po ashtu ka dy trofe të Premier League me Chelsean , si dhe disa kupa kombëtare të Spanjës dhe Anglisë.