Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të mbajë seancë të jashtëzakonshme, pasi BE-ja e ka njoftuar Qeverinë për sanksionet e vendosura ndaj vendit tonë. Ai ka thënë se binomi (Kurti-Osmani) po e çojnë Kosovën në rrugë tjetër.
Hoti ka akuzuar edhe presidenten Osmani, për të cilën ka thënë se nuk po e ushtron funksionin e saj.
“Më 28 qershor 2023, BE e paska njoftuar Qeverinë e Kosovës për sanksionet e vendosura: suspendimi i MSA-së, suspendimi i projekteve që financohen nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor, pezullimi i fondeve të IPA, pezullimi i takimeve të larta dy palëshe dhe masa të tjer”, ka shkruar Hoti në një postim në Facebook, raporton Telegrafi.
Deputeti i LDK-së, Hoti ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk e ka njoftuar as Kuvendin e Kosovës dhe as qytetarët për këtë situatë të re.
“Kuvendi duhet të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar dhe për tu dakorduar për kursin e veprimeve”, ka thënë Hoti.
Më tej ai ka pyetur se “ku është Presidentja e vendit? Pse nuk po e ushtron funksionin e saj? Ky binom po e çojnë Kosovën në një rrugë tjetër, jo në atë të perëndimit”.
“Një gjë është e qartë: Kosova nuk mund të udhëhiqet nga një Kryeministër dhe Presidente, të cilët i sjellin vendit sanksione në vend të integrimit euro-atlantik”, ka shkruar Hoti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se pavarësisht se Komisioni Evropian më 28 qershor ka prezantuar para Parlamentit Evropian një listë të masave kundër Kosovës, Prishtina vazhdon të jetë partnerja “më e sinqertë dhe më e qëndrueshme në rajon” e bllokut sa i përket vlerave evropiane.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, të mbajtur më 29 qershor, Kurti tha se Kosova në disa raste ka qenë kritike ndaj BE-së, por “asnjëherë cinike dhe as e hidhëruar”, duke shtuar se autoritetet nuk janë të hidhëruara as pas prezantimit të masave ndëshkuese.
“Pavarësisht zhvillimeve rrethanore, ne e vlerësojmë përkrahjen e ndihmën e Bashkimit Evropian përgjatë gjithë këtyre viteve, dhe mezi e presim pyetësorin për anëtarësim sepse Evropa është kontinenti i ynë. Bashkimi Evropian është fati ynë”, tha Kurti.
Zyrtarë të BE-së kanë paralajmëruar se gjatë kësaj jave do të shpallin disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës, për shkak se Prishtina nuk ka ndërmarrë hapa për të shtensionuar situatën në veri.
Në mesin e masave ndëshkuese pritet të jetë pezullimi i punës të të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA). Po ashtu, është paralajmëruar se do të pezullohet financimi i programeve të BE-së, mosmiratimi i projekteve nga Fondi për investim në Ballkanin Perëndimor si dhe pezullimi i takimeve në nivele politike.
Zyrtarët evropianë kanë thënë se këto masa “nuk janë marrë me lehtësi” dhe ato mund të hiqen në rast se Kosova ndërmerr hapa drejt shtensionimit të situatës.