Dy persona janë arrestuar në Lushnjë të akuzuar se kanë tentuar të vrasin për gjakmarrje një 22-vjeçar, ku për pasojë mbeti e plagosur halla e tij.
Ngjarja u regjistrua 3 muaj më parë, në fshatin Ballagat, ku 22-vjeçari po lëvizte me makinë në momentin që ndaj tij është qëlluar me armë zjarri, ndërsa nga të shtënat mbeti e plagosur halla e tij, e cila po lëvizte në të njëjtin automjet me të.
Në pranga kanë rënë personat me inicialet M. M., 28 vjeç dhe L. H., 30 vjeç, të dy banues në Ballagat, Lushnjë. Sipas hetimeve, rezulton se 30-vjeçari ka paguar 28-vjeçarin për të vrarë për motive gjakmarrjeje 22 vjeçarin, pasi babai i këtij të fundit akuzohet për vrasjen e vëllait të personit me inicialet L.H..
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.