Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njoftoi këtë të hënë se autoritetet ligjzbatuese në Kosovë kanë identifikuar 45 persona, që sipas tij kanë marrë pjesë në sulmet në veriun e Kosovës.
Kurti deklaroi se as “as çereku” i të dyshuarve për sulmet në veri nuk janë arrestuar, “prandaj e kemi këtë situatë”.
“Deri më sot janë identifikuar gjithsej 45 persona – identifikim i saktë – që kanë marrë pjesë në sulme, në dhunë kundër ushtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.
Por, njëkohësisht kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm duke përdorur armatim të ndryshëm, prej granatave të dorës te shok bombat, por edhe të plumbave qofshin ata të automatikëve ose revolverëve”, tha Kurti gjatë një prononcimi për gazetarët.
Policia e Kosovës ka arrestuar disa persona për sulmet ndaj gazetarëve, por edhe për ngjarjet e dhunshme të 29 majit në Zveçan.
Protestuesit serbë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, duke lënë të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.