Aktivistët e Lëvizjes Studentore “Studim Kritikë Veprim” kanë nderuar sot në trevjetorin e vdekjes së tij, ish-studentin e mjekësisë, Astrit Deharin, duke përuruar një pushimore në biblotekën e Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë.
Disa karrige dhe tavolina druri janë vendosur para biblotekës së këtij fakulteti derisa në sfond qëndron portreti i Astritit.
Arsyerja e vendosjes së pushimores pranë biblotekës, sipas organizatorëve, ishte sepse Astriti kohën më të madhe e kaloi pikërisht brenda saj.
Getoar Sylaj nga SKV tha se studentët do ta kenë mundësinë të pushojnë pranë objektit ku kolegu i tyre kaloi orë të tëra.
“Përmes këtij aktiviteti shënojmë kujtimin e paharrueshëm të shokut tonë dhe kolegun e Fakultetit të Mjekësisë Astrit Deharin. Astriti ka kaluar një pjesë të gjatë të kohës këtu në bibliotekën e Fakultetit. Andaj në këtë hapësirë e cila ka filluar të rregullohet do të shndërrohet në një pushimore te cilën do ta shfrytëzojnë studentët e Fakultetit”.
Gjatë ditës së sotme janë zhvilluar disa aktivitete në kujtim të Astrit Deharit. Kryetari i Vetëvendosjes dhe disa bashkëpartiakë kanë bërë homazhe te varri i tij.
Ndërkaq, në orën 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë organizohet marshi “Një popull për drejtësi”.
Po ashtu edhe në qytetin i Prizrenit, në burgun e të cilit ndërroi jetë Dehari, do të mbahet një marsh nga ora 14:00 deri në 15:00 në kohën kur ka vdekur ai do të ndizen qirinj dhe vendosen kurora lulesh.