Nga Andi Bushati
Njëri prej presidentëve më të shquar amerikanë, që do të mbahet mend në histori kryesisht për dy gjëra, aferën me Monika Levinskin dhe luftën humanitare që çliroi Kosovën, u largua nga Tirana mes entuziasmit të përgjithshëm. Zyrtarët e që ishin në radhët e para të ceremonisë po kurojnë duart e enjtura nga duartrokitjet, kureshtarët që shkuan ta shohin nga afër, ashtu siç veprohet me yjet e futbollit apo me pop starët, po rrëfejnë mbresat e tyre, ndërsa ata që ishin në darkën e ngushtë, përkrah Klintonit, po i gëzohen statusit të tyre të ri social.
Por, përtej këtyre elementëve që kanë të bëjnë me spektaklin e politikës e rëndësishme është të kuptohet qëllimi dhe mesazhi i kësaj vizite private. Duke qenë se ajo përbënte një eventiment të sponsorizuar dhe të organizuar nga Aleks Soros, ajo nuk mund të ketë qenë një rastësi rutinore.
Pak gjasa ka gjithashtu që Fondacioni shoqëria e hapur, të ketë dashur ti bëjë një dhuratë simbolike, në ditën e 59 vjetorit të lindjes, njërit prej klientëve të tij më të mirë dhe më të zellshëm. Duke ditur se fjalimet e Bill Klinton nuk kushtojnë më pak se gjysëm milioni dollarë, kjo do të qe një përkujdesje e shproporcionuar, për një datë që nuk qe as përvjetor.
I vetmi kumt politik dhe i vetmi qëndrim që i’a vlen të debatohet nga ajo që tha ish presidenti i 42 amerikan në Tiranë, ishte paragrafi që ai artikuloi për Kosovën. Po të analizohet dhe po të dekriptohet fjalë për fjalë, ai përbënte pa dyshim një goditje për politikën që po ndjek kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti.
Në fjalimin e Klintonin përmendjej fjala “gabim” për zgjedhjen e katër kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe, bëhej thirrje se duhej ndalur kjo “marrëzi” dhe theksohej se minoriteti slloavo-ortodoks në Kosovë ka nevojë për një qeverisje të denjë.
Në pamje të parë, hiq dy tri epitete që bombarduan titujt e shtypit lokal, ish presidenti nuk bëri ndonjë vërejtje thelbësore. Edhe autoritetet e Kosovës e pranojnë që zgjedhjet në veri, të pranuara paraprakisht nga SHBA e BE janë një zgjidhje e përkohshme.
Edhe ato s’kanë dyshim se serbët lokalë duhet të kenë të drejtat maksimale që u’a garanton një prej kushtetutave më të hapura në këtë drejtim. Edhe ato e dinë se krijimi i tensioneve (ka rëndësi kush i nxit) nuk i shërben kompromiseve të mëdha.
Pra, po të shqyrtohet në thelb, Bill Klinton nuk është se bëri ndonjë kritikë thelbësore për politikën e ndjekur, ai thjeshtë, u rekrutua të lobojë për të ushtruar dozën e presionit, në atmosferën e përgjithshme të trysnisë që po ushtrohet ndaj Albin Kurtit.
Në këtë prizëm, duhet pranuar se lëvizja e Fondacioni Soros ishte efikase dhe brilante. Të arish të shtosh në korin e lobistëve edhe zërin e presidentit që ka urdhëruar bombardimin e Serbisë për të çliruar popullin e Kosovës është një “coup de maitre”.
Por, pyetja që duhet të shtrojmë sot, pas largimit të Klintonit nga Tirana, nuk është se sa personalitete apo sa institucione i janë bashkëngjitur këtij asambli, por se çfarë po i kërkohet të lëshojë Albin Kurtit.
Në pyetje nuk janë as katër kryetarët e komunave, as zgjedhjet e reja në veri. Loja është më e madhe. Në perëndim duket se ka një konsensus të përgjithshëm, për të përkëdhelur regjimin e Vuçiçit duke dashshur ta ndajnë nga aleanca me Kremlinin. E në këtë kontekst e sakrifikuara riskon të jetë Kosova.
Kështu marëveshja e fund marsit, e arritur në Bruksel dhe harta e saj e rrugës e përcaktuar në Ohër, po reduktohen vetëm në një ultimatum drejtuar Albin Kurtit: prano Asocacionin e komunave me shumicë serbe. Premtimet e një dakordësie, ku njëra pikë nuk mund të kondicjonojë tjetrën dhe deklarata se asnjë nen i marëveshjes nuk ka prioritet përballë tjetrit janë harruar.
Deklaratat e Vuçiçit se do realizojë vetëm ato pika që i interesojnë Serbisë janë injoruar. Filozofia e negociatave po ravijëzohet në një drejtim: gjërat rregullohen po u tërhoq Prishtina dhe po u thye Albini.
Në këtë lojë, për të cilën sot ka një konsensus më të gjërë ndërkombëtar se kurrë më parë, kanë qenë të angazhuar prej kohësh Fondacioni Soros dhe Edi Rama. Përtej klisheve konspirative me interesa sekrete, tradhëtarë apo të shitur, në optikën e tyre realpolitike ka qenë gjithmonë ideja se ky rajon paqtohet, duke i bërë koncesione Serbisë.
Pikërisht për këtë edhe Rama edhe Soros kanë mbështetur pa rezerva projekte të nisura në Beograd. Ata fillimisht iu bashkuan idesë të ndryshimit të kufijve dhe ndarjes të Kosovës, pastaj mini Shengenin apo Open Balkan-in, ashtu sikurse janë bërë sot partizanë të asocacionit, duke gjetur edhe draft zgjidhje për të.
Albin Kurti i përket një shkolle dhe filozovie tjetër politike, që është shumë e fortë edhe në Zagreb, Sarajevë apo Podgoricë. Ai mendon se sa më shumë ti hapet oreksi Serbisë, aq më të rezikuar janë fqinjët e saj.
Këto dy mendësi po mbizotërojnë sot duke determinuar edhe debatet për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Fatkeqësisht për momentin, duhet pranuar se, obsioni që mbron Tirana dhe jo ai që kërkon Prishtina, po fiton më shumë popullaritet në perëndim.
E në këtë kuadër duhet parë edhe zbarkimi i ish- presidentit amerikan në Tiranë. Vizita e tij u sponsorizua dhe u organizua nga ata që besojnë se qëllimet e mira të harmonisë dhe bashkëjetesës arrihen përmes koncesioneve që i duhen bërë Beogradit.
Kjo është e drejta e tyre. Por ama, pavarësisht se në veshët tonë ende ushton pesha e epiteteve që përdori në derën e Kryeministrisë, njeriu që dikur urdhëroi çlirimin e Kosovës, mendjet e kthjellëta dhe jo përtace duhet të ngrejnë edhe dyshimin: cili qe qëllimi i tyre.
Dhe për të arritur në konkluzione të drejta, ne nuk mund ta mjaftohemi duke shtruar pyetjen se kush personalitet po i ushtron presion Albin Kurtit, por se me ç’qëllim po e bën këtë gjë.
Dhe duke ditur se mikpritësi dhe financuesi i vizitës të Klintonit e kanë tashmë të afishuar obsionin e tyre, qëllimi i vërtetë i vizitës së Klintonin është më lehtësisht i kuptueshëm.