Edi Rama i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit Albin Kurti për firmosjen e 13 marrëveshjeve mes dy qeverive, pas shtyrjes që iu bë mbledhjes së dy qeverive në pranverë.
Kryeministri bëri të ditur mëngjesin e së enjtes se 13 marrëveshjet janë dorëzuar në Ministrinë e Jashtme të Kosovës.
Me kundërfirmosjen nga ana e palës së Kosovës, ato hyjnë në fuqi menjëherë.
Tashmë që pranoi kushtin e vënë nga Kurti, Rama shprehet se shpreson që homologu i tij në Kosovë do ta pranojë ftesën për një takim bilateral.
Pas pak drejt Shkupit për të nisur vizitën dyditore në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor. Sot në mëngjes janë dorëzuar në ministrinë e jashtme në Kosovë të 13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive të firmosura nga ana jonë.
Me kundërfirmosjen e palës kosovare, ato hyjnë menjëherë në fuqi. Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga KM Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin sot pasdite.
Edi Rama, Twitter
Kujtojmë se, në një konferencë për mediat të mbajtur të mërkurën, kryeministri Albin Kurti u tregua i prerë rreth mundësisë së një takimi kokë më kokë me Ramën, në kuadër të vizitës së këtij të fundit në Prishtinë.
Shefi i qeverisë së Kosovës u shpreh se më urgjente për vendin është firmosja e marrëveshjeve Shqipëri-Kosovë, pasi me Ramën, siç tha ai, ka komunikim të vazhdueshëm.
Ndërkohë, nga agjenda e bërë publike, deri më tani të konfirmuara janë takimet bilaterale të kryeministrit Rama me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca.