Për 4 ditë me radhë Gjiri i Vlorës u “pushtua” nga 35 varka me vela, të cilat ishin nisura nga Brindizi. Ky është edicioni i 12-të i këtij aktiviteti, por që këtë vit kaloi edhe nga brigjet shqiptare. Kryetari i Bashkisë së Vlorës Ermal Dredha thotë se aktivitete të tilla do të mbështeten nga institucioni që ai drejton me qëllim që t’i jepet më shumë shtysë turizmit.
“Ne duam që të krijojmë aktivitete të vazhdueshme që të kemi të tilla për 12 muaj. Kjo do ta shtojë dhe turizmin”.
I pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama që tha se aktivitete të tilla janë të mirëpritura.
“Unë jam shumë i lumtur që jam këtu sot me ju. E mirëpres krahë hapur çdo aktivitet italian, ky është pushtim shumë i këndshëm. Unë shpreson që kryetari i ri i bashkisë të bëjë të gjitha ato që tha në shqip. Shpresoj që Vlora do të jetë gjithmonë e më mikpritëse dhe gjërat do të shkojnë gjithmonë dhe më mirë”.
Ndërsa ambasadori italian në vendin tonë, Fabrizzio Bucci vuri theksin tek marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Italisë. Ai ftoi garuesit që të qëndrojnë disa ditë në Vlorë për të shijuar bregdetin shqiptar.