Problemi me çështjen e shpronësimit të Kullës së Sylejman Vokshit në Gjakovë nuk është i vetmi sa i përket këtij aseti të trashëgimisë kulturore.
Gjendja e dobët e objektit dhe rrezikimi i banorëve, që jetojnë në objektin tjetër ngjitur me monumentin, dalin të jenë çështje më emergjente. Banorët disa herë kanë kërkuar që t’u bëhet zgjidhje. Madje një gjë të tillë e kanë kërkuar edhe institucionet e trashëgimisë kulturore. Ndonëse ka më shumë se tre muaj që prerazi është kërkuar evakuimi i banorëve nga objekti sot e kësaj dite nuk është ndërmarrë asnjë hap as për këtë e as për ndërhyrje në monument. Tek për vitin e ardhshëm Ministria e Kulturës ka ndarë 50 mijë euro për restaurim e konservim.
Në mars të këtij viti Komuna nëpërmjet një vendimi ishte tërhequr nga shpronësimi i parcelave përreth Kullës, gjë për të cilën ishte vendosur më 2015. Por pasi Ministria e Kulturës kishte kundërshtuar veprimet e Komunës duke i konsideruar si joligjore, kjo çështje ka mbetur pezull.
Valbona Kalaveshi me familje banon në objektin përdhese në të majtë të Kullës. Ajo ka thënë se janë të rrezikuar nga shembja potenciale e monumentit. Një shembje jo e madhe e para dy vjetëve kishte bërë që të dëmtohet shtëpia njëkatëshe e familjes Kalaveshi, që është pronare e gjysmës së monumentit dhe posedon shtatë ari truall. Asokohe dëmtimet e shtëpisë së familjes ishin ndihmuar me 1 mijë e 800 euro nga Komuna. Vitin e kaluar dhe këtë vit familja ka kërkuar ndihmë nga institucionet. Për këtë në maj të vitit të kaluar dhe në korrik të këtij viti Inspektorati i trashëgimisë kulturore kishte dalë në terren, kur kishte konstatuar se duhet bërë evakuim të banorëve.
“Ne vazhdimisht jemi të rrezikuar nga shembjet potenciale. Kur vijnë nipat qëndrojmë me ata në qoshe të oborrit pasi ndihemi të rrezikuar”, ka thënë Valbona Kalaveshi. Ajo ka kërkuar ndihmë nga institucionet disa herë. “Nuk kemi marrë më kurrfarë përgjigje as sa i përket rrezikut e as për shpronësim”, ka thënë Kalaveshi.
Inspektorati i trashëgimisë kulturore në shkresën që ka bërë gati për Komunën e Gjakovës dhe Ministrinë e Kulturës, ashtu sikurse vjet edhe sivjet konstaton se mosinvestimet nga shteti dhe pronarët e kanë sjellë monumentin në gjendje të rëndë.
Sipas faqes “Trashëgimia.org”, Kulla ishte marrë nën mbrojtje të përhershme, qysh nga ish-pushteti më 1980. Sipas përshkrimit që i bëhet asaj, Kulla gjendet në vendin e quajtur “Mejtepi Ruzhdije” në hyrjen e Çarshisë së Vjetër në Gjakovë. Objekti është ndërtuar në fillim të shekullit XVIII dhe ka rëndësi të madhe historike, sepse aty u lind heroi kombëtar Sylejman Vokshi, i cili ishte njëri ndër themeluesit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.