Ludogorets në letër ishte një kundërshtar i vështirë për Ballkanin në raundin e parë kualifikues të Champions League, por djemtë e Ilir Dajës i treguan bullgarëve se në futboll nuk ka favorit.
Djemtë nga Suhareka e dominuan 90 minutëshin e parë që u luajt në “Fadil Vokrri”, duke fituar me rezultatin e pastër 2-0.
Ballkani mori avantazhin në minutat shtesë të 45 minutëshit të parë të sfidës, me Korenica ktheu në gol një asist të bukur nga Trashi.
Pjesa e dytë nisi edhe më mirë për vendasit që gjetën golin e dytë dhe të qetësisë që në minutën e 55-të e takimit.
Ishte sërish mbrojtësi kuqezi, Lorenc Trashi që gjeti për mrekulli Qëndrim Zybën, i cili me kokë realizoi një gol të bukur për të çuar shifrat në 2-0.
Ky është një rezultat fantastik për Ballkanin, me skuadrën nga Kosova që shkon për të kërkuar kualifikimin në raundin e dytë në Razgrad.