Mediat në Kosovë kanq publikuar tashmë edhe incizimet e reja mes Mimoza Kusarit dhe Sllavko Simiçit. Në këto incizime të reja, shefja e deputetëve të VV-së përdor gjuhë të papërshtatshme ndaj disa kolegëve të tjerë shqiptarë.
Kusari i flet Sllavko Simiçit në veten e parë, dhe i shpreh në këto incizime keqardhjen e saj që duhet të takohen në mënyrë të fshehtë.
“Dëgjo Sllavko, më vjen vërtet keq për gjithçka që po ndodh. Unë, nga të gjithë njerëzit këtu, do të dëshiroja që së pari Kuvendi të funksionojë si duhet. Ti e di që unë nuk kam qenë me Vetëvendosjen kur kanë bërë atë çfarë kanë bërë…”, dëgjohet duke i thënë Kusari politikanit Simiç që në nisje të incizimeve të sotme.
Mimoza Kusari më pas e akuzon te Sllavko Simiçi ish-kryeministrin Haradinaj dhe “këta të PDK-së” për fryrjen e listave të veteranëve të luftës. Në një moment, derisa po flisnin për TRUST-in pensional, ajo i drejtohet Simiçit me fjalët: “…a e din bre ti kush është Bekim Haxhiu?”.
Me fjalor të rëndë para Simiçit flet edhe për Uran Ismailin, të cilin e quan “idiot patetik” megjithëse e pranon se me të kishte pasur dikur shoqëri.
“Aq ma bën për Uran Ismailin. Ai është… Ka vdekur ai lajm. Ai është idiot patetik, të them. Urani ka qenë shok i imi. Me Uranin kemi qenë në Qeveri, kur unë kam qenë ministre. Me Uranin kemi pasur shoqëri të mirë. Urani ka qenë një nga djemtë urbanë që kanë shkuar në PDK”, dëgjohet derisa i thotë shefja e grupit parlamentar të VV-së.
REAGIMET
Anëtari i kryesisë së AAK-së, Daut Haradinaj, ka reaguar pas publikimit të përgjimeve ku protagonistë janë Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq, ku flasin për veteranët e UÇK-së.
Haradinaj ka thënë se turpi ka emër.
“Turpi ka emër”, është shprehur shkurt anëtari i kryesisë së AAK-së, Daut Haradinaj.