Pas goditjeve të bujshme në muajin janar, tek Chelsea kanë nisur të reflektojnë. Blutë e Londrës pritet të përballen me një sezon atipik, pasi shumë prej futbollistëve janë ose do të largohen.
Mungesa në Kupat e Europës e ka shndërruar skuadrën në një supermarket, aty ku edhe rivalët direkt kanë arritur të bëjnë blerje.
Kaj Havertz, Mason Maunt dhe Mateo Kovaçiç do jenë pjesë e Premier League dhe në sezonin e ardhshëm, teksa shitja e kartonit të tyre ka sjellë rreth 200 milionë euro në arkat e klubit.
Shifra të larta duke parë se me valixhe në duar janë edhe disa futbollistë të tjerë që shumë shpejt mund të largohen nga Londra. Projekti me Maurisio Pokettino në stol ka sjellë ndryshime rrënjësore dhe vështirë se do i shpëtojnë edhe elementët cilësor.
Rekordi për skuadrën londineze ishte në sezonin 2017-2018, kur u përfituan 195 milionë euro në merkaton e verës. Por, kjo shifër pritet të rrëzohet dhe është rrugës për të arritur deri në 300 milionë euro.
Me valixhe në duar gjendet edhe Armando Broja, që duket se do të kërkojë largimin për të marrë minuta në të ardhmen. Dëmtimi që e la jashtë fushave për shumë kohë pritet të ndikojë në karrierën e talentit shqiptar.