Presidenti Bajram Begaj, ka vijuar vizitën e tij në Slloveni, ku ka theksuar se thellimi i mëtejshëm i bashkëpunimit mes dy vendeve është i mirëpritur dhe i domosdoshëm.
Kreu i shtetit u takua edhe me Zëvendëskryeministren e Sllovenisë, Tanja Fajon, së cilës i shprehu mbështetjen e vyer që ajo personalisht dhe Sllovenia i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.
Për Kreun e Shtetit, është e rëndësishme që të vijojë bashkëpunimi mes dy vendeve, fokusuar tek interesat e përbashkëta strategjike. Presidenti Begaj ripërsëriti nevojën e thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të mirëpritur investimet sllovene.
Presidenti u takua edhe me Presidenten e Asamblesë Kombëtare Zupančič ku shprehu rëndësinë që ka bashkëpunimi mes institucioneve të dy vendeve për ndarjen e eksperiencave më të mira. Gjatë takimit Presidenti Begaj nënvizoi se në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria vlerëson mbështetjen e institucioneve të Sllovenisë, ndaj thellimi i mëtejshëm i bashkëpunimit është i mirëpritur dhe i domosdoshëm.
Presidenti Begaj pati gjithashtu një takim me Kryetarin e Bashkisë së Lubjanës, Zoran Janković. Zhvillimi i qyteteve në mënyrë të qëndrueshme në të mirë të mirëqenies së qytetarëve dhe planetit ishin në fokus të bisedës së Kreut të Shtetit me zotin Janković.