Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, protestuan pasditen e sotme në Prishtinë së bashku me deputetë të partive opozitare, kundër qeverisë Kurti dhe ligjit për pagën minimale që u votua në Kuvend, në të cilin nuk janë përfshirë kategoritë e dala nga lufta.
Veteranët u mblodhën fillimisht në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe marshuan drejt sheshit “Skënderbeu”, ku u zhvillua tubimi, ndërkohë që dhjetëra forca të Policisë së Kosovës dhe ekipe të zjarrfikësve ishin stacionuar në oborrin e Kuvendit dhe Qeverisë.
Në sheshin “Skënderbeu” ishte vendosur skena ku u mbajtën fjalime nga veteranë të ndryshëm të luftës çlirimtare, ndërsa në duar pjesëmarrësit në tubim mbajtën flamuj me logon e UÇK-së, flamurin kombëtar dhe atë amerikan.
Tubimi nisi me himnin kombëtar dhe atë shtetëror, ndërsa u dëgjuan brohoritjet “UÇK, UÇK” dhe “Poshtë Qeveria”.
Veteranët e UÇK-së dhe opozita akuzuan Lëvizjen Vetëvendosje se bashkë me Millan Radojçiçin, e Listës Serbe kanë rënë dakord për të përjashtuar veteranët nga ligji për pagën minimale. Ata protestuan njëherazi edhe kundër skandalit të përgjimeve, duke kërkuar që Mimoza Kusari Lila të dorëzojë mandatin e deputetes.
“Mimozë: A t’kallxoj Radoja” se ku janë 1600 të zhdukurit e luftës”, “Mimozë: Ti fyej veteranët e Jabllanoviqi “nënat” e tyre” – janë disa nga pankartat që protestuesit mbajnë në duar në protestë.
Ata po ashtu kërkuan nga presidentja Vjosa Osmani që të kthejë mbrapsht ligjin për pagën minimale, duke e konsideruar si anti-UÇK. Ligji për pagën minimale parashikon rritjen e saj nga 170 në 264 euro, por në të nuk janë përfshirë nga qeveria pensionet e veteranëve të cilët vazhdojnë të marrin nga 170 euro.
“Thirrje presidentes Vjosa Osmani të mos e dekretojë ligjin që i përbuzë veteranët e UÇK-së përndryshe do të perballeni me veteranët. Nuk do të lejojmë të shkelemi e shtypemi”, tha veterani Avni Ajeti.
Kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Çerkinaj akuzoi qeverinë Kurti se nuk po i mbështet veteranët, duke i kërkuar ekzekutivit “që t’i kthehet popullit”.
“Nuk mundesh me i rrejt ata që i ke rrejt para dy vjetësh. Edhe ata janë mbush mend me e ditë kush është Albin Kurti”, ka deklaruar Çerkinaj.
“UÇK, Liri, ju jeni liria e Kosovës. Flisni fort e flisni çlirë. Krejt Kosova është për liri. Kush është ai që s’i përkrah. O ju që po na udhëheqni, ku jeni more? Ku jeni more për këtë popull? Ju nuk dini se çka është liria. Ju dini veç me rrejt e me shëmtu edhe ma zi se gjakpirësit e 98-s e 99-s. Tmerr po jetojmë. Këta po thonë se veteranët s’kanë të drejt të marrin pagë normale, s’kanë të drejt të marrin frymë, s’kanë të drejtë fëmijët t’i shkollojnë. Kush po na pengon?” ka thënë ai në fjalimin para protestuesve.
Sakaq, palët politike janë përplasur në distancë lidhur me protestën e veteranëve të UÇK-së.
Kjo pasi, pak orë para se të nisë protesta, ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla hodhi akuza të rënda drejt organizimit të këtij tubimi. Sipas tij, protesta po zhvillohet në një kohë kur presidenti serb Aleksandër Vuçiç po e humb betejën në terren me kryeministrin Albin Kurti dhe tregon fokusimin e Serbisë në një luftë hibride për nxitje të trazirave brenda Kosovës.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i konsideroi deklaratat e Sveçlës si provokim për të prodhuar dhunë në protestë dhe ai u bëri thirrje veteranëve të UÇK që të vetëpërmbahen.
“Qeveria kërkon përplasje. Përmes një deklarate skandaloze dhe fyese ndaj veteranëve dhe gazetarëve, nxitëse mbi të gjitha – Qeveria e Albin Kurtit po kërkon përplasje. Vetëm një Qeveri e dështuar, e papërgjegjshme dhe pa fijen e ndërgjegjes, përmes veprimeve të saj, kërkon dhunë në mesin e popullit të saj”, shkroi Krasniqi në Facebook.
Qeveria, sipas kreu të opozitës, e ka humbur arsyen dhe tani kërkon shpëtimin në përplasje civile.
Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kërkoi shkarkimin e Sveçlës, duke i cilësuar deklaratat e tij si “ofenduese, nxitëse e të pamatura”.
Ndërkohë, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ishte edhe më i ashpër në qëndrimin përkundrejt kryeministrit Albin Kurti.
“Albin Kurti, tërhiqi mbrapshtë sejmenët e tu”, shkroi Haradinaj në Facebook, duke iu referuar Ministrit të Brendshëm.
Sipas Haradinajt, kryeministri po përpiqet që të sundojë Kosovën dhe jo ta qeverisë atë, ndaj fajin për revoltën e medias, opozitës dhe shoqërisë e ka vetë Kurti.
“Pushteti nuk është gjithçka. Albin Kurti, tërhiqi mbrapshtë sejmenët e tu. Lëri njerëzit të protestojnë për të drejtën e tyre dhe mos e ndajë e mos e përçajë popullin. Ato që dikur e ke shfrytëzuar si të drejta per vete, (protestat e demonstratat) mos provo t’ua ndalosh të tjerëve. Nuk ta kanë fajin veteranët, as shoqëria civile, as mediat, as gazetarët e as opozita! Fajin e ke vet që nuk po qeverisë me vendin, por po mundohesh ta sundosh atë. Unë sot jam me të gjithë ata që protestojnë në sheshet e Prishtinës!”, shkroi Haradinaj në Facebook.