Familjeve të shpërngulura nga ndërtimi i hidrocentralit të Fierzës, si edhe i familjeve të trajtuara për meremetime banesash, të cilat kanë përfituar kredi nga buxheti i shtetit nëpërmjet Entit Kombëtar të Banesave, u falen detyrimet monetare.
Të gjitha objektet do të përjashtohen nga detyrimi për sigurimin e objektit për raste fatkeqësie natyrore.
Nga ana tjetër njësitë e vetëqeverisjes vendore parashikojnë që në programet sociale të strehimit jo më pak se 5 për qind e vendeve nga çdo program të plotësohen nga familje të minoriteteve rome e egjiptiane.
Familjet e minoriteteve rome dhe egjiptiane konsiderohen si kategori prioritare për trajtim nga programet sociale të strehimit për të gjitha kriteret e parashikuara në ligj, si dhe për përparësitë ose pikëzimet e vendosura nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Ky është vendimi më i fundit i marrë nga qeveria, në të cilin parashikohet edhe privatizimi i banesave apo objekteve të kthyera në fond banese.
Ky privatizim do të bëhet bazuar në sipërfaqet e banimit, të përcaktuara për normat e strehimit, sipas certifikatës familjare në momentin kur i ka lindur e drejta e privatizimit.
“Çdo sipërfaqe banimi e përfituar mbi atë të normave të strehimit llogaritet me koston aktuale të ndërtimit.”- thuhet në vendim.
Banesat pa dokumentacion
Banesat e ndërtuara me fonde publike nga Enti Kombëtar i Banesave ose të transferuara nga të tretët tek Enti Kombëtar i Banesave, të cilat nuk janë pajisur me dokument pronësie, trajtohen sipas legjislacionit për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) dhe regjistrohen në emër të Entit Kombëtar të Banesave.
Në rastet kur mungon dokumentacioni i kolaudimit të objekteve, ai përgatitet nga Enti Kombëtar i Banesave dhe i bashkëlidhet dokumentacionit që kërkohet nga ASHK-ja për procesin e legalizimit.
“Pas regjistrimit dhe pajisjes me certifikatat e pronësisë, Enti Kombëtar i Banesave kryen procedurat e privatizimit sipas aktit nënligjor të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Rregullat e posaçme për miratimin e dokumentit të pronësisë për këto pasuri do të përcaktohen me vendim të qeverisë”- thuhet në ligjin e ndryshuar që ka të bëjë me strehimin social.
Ndërsa banesat të cilat figurojnë në pronësi të shtetit, do të transferohen në pronësi të njësisë së vetëqeverisjes vendore për kryerjen e procedurave të privatizimit.
Familjet pa të ardhura
Familjet pa të ardhura dhe me të ardhura shumë të ulëta, që trajtohen me subvencionimin e qirasë së banesës në tregun e lirë, do të nënshkruajnë kontratën pa asnjë tarifë me kryetarin/en e njësisë së vetëqeverisjes vendore ose personin e autorizuar prej tij/saj, ose para punonjësit i cili nënshkruan si i pranishëm.
Kontrata regjistrohet në një rubrikë të posaçme në sistemin e strehimit të ngritur në portalin qeveritar “e-Albania”, ku pasqyrohen të dhënat për palët kontraktuese; kohëzgjatjen e kontratës; pasurinë, vendndodhjen, sipërfaqen, tipologjinë e njësisë së banimit dhe kushtet fizike të njësisë së banimit; masa e qirasë mujore; të ardhurat e përfituesit të subvencionimit të qirasë; subvencionimin mujor që përfiton individi/familja.