I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Europian në dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar një takim mes kryenegociatorëve të të dyja vendeve, Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviçit, që pritet të mbahet javën e ardhshme.
Lajçak tha se është duke përgatitur mbajtjen e këtij takimi. Ai u shpreh i lumtur se janë bërë hapa konkrete drejt çtensionimit të situatës në veri.
“Nga Dubrovniku udhëtova për në Bratislavë, ku mbajta diskutime të rëndësishme bilaterale me zëvendëskryeministrin e parë të qeverisë së Kosovës dhe kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi. Biseda jonë u përqendrua në çtensionimin e situatës në veri të Kosovës, në përputhje me deklaratën e datës 3 qershor dhe punën në drejtim të zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të dialogut. Më vjen mirë që ramë dakord për hapat e parë drejt këtij qëllimi”, tha Lajçak.
I dërguari i BE-së foli edhe rreth takimit që pati me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi. Ai tha se janë shkëmbyer mendime dhe u përgatit për takimin e ardhshëm në Bruksel./klankosova