Evropa Jugore po përgatitet për një valë të dytë të të nxehtit brenda një jave, ku më së shumti do të preken Italia, Spanja, Franca, Gjermania dhe Polonia. Një anticiklon i ri që u fut në rajon nga Afrika Veriore të dielën mund të rrisë temperaturat mbi 48.8C dhe pason valën e të nxehtit Cerberus të javës së kaluar.
Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA) tha se java e ardhshme mund të sjellë temperaturat më të nxehta të regjistruara ndonjëherë në Evropë.
Kriza klimatike e shkaktuar nga njeriu po sjell motin ekstrem në mbarë botën, duke shkaktuar fatkeqësi më të shpeshta dhe më vdekjeprurëse, nga valët e të nxehtit, përmbytjet e deri te zjarret. Të hënën, Organizata Botërore Meteorologjike tha se planeti përjetoi ditët më të nxehta të regjistruara në ditët e para të korrikut, pas një qershori që ishte më i nxehti në histori.
Një studim i botuar së fundmi në Nature Medicine tha se më shumë se 60,000 njerëz vdiqën për shkak të valëve të të nxehtit të verës së vitit të kaluar në të gjithë Evropën, me shkallën më të lartë të vdekshmërisë në Itali, Greqi, Spanjë dhe Portugali.
Italia përjetoi temperatura jashtëzakonisht të larta dhe nivele lagështie të dielën në atë që uebfaqja e motit, ILMeteo.it e përshkroi si një “stuhi të nxehti” dhe situata do të intensifikohet me ardhjen të hënën të një tjetër anticikloni që do ta shtyjë merkurin në nivele të larta të mundshme deri në 47C në zonat jugore të Sardenjës dhe 45C ose 46C në pjesë të Pulias dhe Sicilisë.
Italia është një nga vendet evropiane më të cenueshme ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike, me ngjarje ekstreme të motit gjatë 13 muajve të fundit përgjegjës për më shumë se 50 vdekje.
Në Greqi, vapa përvëluese e detyroi Akropolin të mbyllej përkohësisht nga ora 11:30 deri në 17:30 për të mbrojtur turistët nga temperaturat e rrezikshme, rreziku i dehidrimit dhe goditjes nga diellit./ The Guardian