Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg është takuar ditën e sotme me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç.
Shefi i NATO-s tregon se me presidentin serb diskutuan rreth dhunës së veri të Kosovës, ku mbetën të plagosur edhe 93 trupa të KFOR-it.
Stoltenberg i bën apel Kosovës dhe Serbisë që të parandalojnë një përshkallëzim të situatës dhe të angazhohen “në dialogun e ndërmjetësuar nga BE.”
Kujtojmë se Vuçiç e kërkoi këtë takim me Stoltenberg, siç njoftoi ai, për të shprehur shqetësimet e tij lidhur me atë që e konsideron dhunë e vazhdueshme ndaj serbëve të Kosovës.
Madje akuzoi qeverinë e Albin Kurtit për spastrim etnik të heshtur, me pretendimin se policia i ka shpallur në kërkim pjesën më të madhe të serbëve në Kosovë. Gjatë samitit të fundit të NATO-s, kreu i aleancës ushtarake shprehu shqetësim të madh për tensionet në veri dhe për raportet Prishtinë-Beograd. Gjithashtu, sqaroi se KFOR-i është në Kosovë për të garantuar sigurinë dhe lëvizjen e lirë të njerëzve.