Janë qindra ekstremistë islamikë teksa sulmojnë dhe djegin ambasadën suedeze në Bagdadin Qendror në orët e para të mëngjesit të së enjtes në shenjë proteste kundër djegies së paralajmëruar të Kuranit në Suedi. Më vonë qeveria irakiane urdhëroi ambasadorin suedez në Bagdad të largohet pas mosmarrëveshjeve diplomatike për djegien e Kuranit në Stokholm.
Bagdadi tërhoqi gjithashtu të ngarkuarin me punë në Suedi dhe pezulloi lejen e biznesit për kompanitë suedeze. Ndërkohë protestuesit në kryeqytetin irakian sulmuan për herë të dytë ambasadën suedeze të enjten dhe dogjën kompleksin e saj. Ministri i Jashtëm suedez i përshkroi protestat si “plotësisht të papranueshme”.
Asnjë pjesëtar i stafit të ambasadës nuk u plagos. Ministria e Jashtme e Irakut e dënoi incidentin dhe tha në një deklaratë se qeveria irakiane kishte udhëzuar forcat e sigurisë që të kryejnë një hetim të shpejtë, të identifikojnë autorët dhe t’i mbajnë ata përgjegjës.
Turma u mblodh kur dëgjoi se një refugjati të krishterë irakian i ishte dhënë leja nga policia suedeze për të djegur Kuranin në Stokholm për herë të dytë.
Demonstrata e së enjtes u thirr nga mbështetësit e klerikut ekstremist shiit Muqtada Sadr që gjatë një fjalimi sulmoi Amerikën. Siç ishte paralajmëruar në Stokholm u mblodhën protestues anti-islamikë, njëri prej të cilëve refugjat i krishterë irakian në Suedi që më herët në qershor dogji Kuranin jashtë një xhamie. Protestuesit shkelmuan dhe shkatërruan pjesërisht librin e shenjtë, por u larguan një orë më pas pa i vënë flakën.