Deputetja britanike, Alicia Kearns, e cila është edhe kryetar e Komisionit të Punëve të Jashtme, ka bërë të ditur se ka marr kërcënime pas deklaratës së saj e cila tha se Qeveria britanike është informuar nga ushtarët britanik të KFOR-it se kishat serbe po shërbejnë si vende ku po ruhen armë të kontrabanduara nga Serbia në Kosovë dhe se këto armë mbërrijnë me ambulanca nga Serbia.
Në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, RTK, Kearns ka folur edhe për reagimin që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka bërë pas deklaratës së saj duke shtuar se qëndrimet e tij në këtë rast tregojnë urrejtje.
“Nuk do të hesht nga dikush që përpiqet të më frikësojë. Dhe mendoj se ai thotë gjithçka që ndjen nevojën për të kërcënuar politikanët e huaj”, ka thënë Kearns.
Më tutje deputetja britanike e ka cilësuar si jetike bashkëpunimin në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-in.
“Ajo që duhet të shohim në Veri të Kosovës është që të gjithë, serbë apo shqiptarë, të ndihen plotësisht rehat dhe të lirë të jetojnë në këtë pjesë të Kosovës. Pra, një nga pyetjet e mia drejtuar kryeministrit Albin Kurti, në takimin tonë të fundit, ishte se çfarë po bëni për të mbështetur serbët e Kosovës”, tha Kearns.
Ajo është treguar kritike edhe me veprimet e fundit të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, meqë sipas saj, këta të fundit janë treguar jo-proporcional dhe të pa-balancuar duke mos e favorizuar paqen.