Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se vendi i tij mishëron vlerat e njëjta me Këshillin e Evropës.
Gjatë takimit me Grupit Koordinues për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, Kurti ka theksuar se Kosova ka plotësuar kërkesat ligjore dhe standardet demokratike për pranim në KE.
“Natyrshëm e kemi vendin në këtë organizatë. Kjo forcon edhe më shumë mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve tanë, pa dallim. Kosova ka plotësuar kërkesat ligjore dhe standardet demokratike për pranim në KE”, tha kryeministri Kurti.
Ndërsa, ministrja Donika Gërvalla, tha se tash që procesi ka kaluar te asambleja e Këshillit të Evropës, fillon një etapë e rëndësishme e vlerësimit dhe hapave konkret në këtë proces.
“Qeveria e Kosovës do të bashkëpunoj ngushtë në procesin e vlerësimit të grupit punues të Këshillit të Evropës, në çdo etapë. Kur ka kaluar faza e parë gjithçka do të varët nga koordinimi i këtij grupi, nga bashkërendimi juaj varët edhe anëtarësimi i shpejtë i Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha ministrja Gërvalla.
Në prill, Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës mori vendimin për t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.
Ky Komitetit përfaqëson 46 shtetet anëtare të KE-së, ndërsa në një mbledhje të jashtëzakonshme kishte marrë vendimin për Kosovën me më shumë se 2/3 e votave.