Në një kohë kur jugu i Italisë po përjeton temperatura ekstremisht të larta, një stuhi e dhunshme ka goditur Milanon, duke shkaktuar dëme të mëdha, viktima e të plagosur dhe ndërprerje në transportin publik.
Rënia e pemëve në rrugë të ndryshme ka dëmtuar disa pjesë të rrjetit të furnizimit me energji elektrike për automjetet dhe ka detyruar autoritetet të mbyllin disa rrugë.
Linja e metrosë M2 midis Vimodrone dhe Cernusco mbeti e mbyllur, ndërsa Trenord njoftoi “dëmtim të infrastrukturës”. Në veçanti, linjat hekurudhore për në Como, Lecco dhe Sondrio u bllokuan për shkak të dëmtimit të rëndë të stacionit të Monzës.
Ndërkohë në Legnano, tre persona të plagosur për shkak të pemëve që kanë rënë mbi makina. Në rastin e parë, një pemë ra mbi një makinë që kalonte gjatë një stuhie të dhunshme në qendër të qytetit.
Tre pemë të tjera të mëdha ranë mbi disa makina, duke plagosur dy gra, një 34 dhe një 81 vjeç, të transportuara në spital në kushte jo të rënda.
Sakaq, një grua 58-vjeçare teksa po ecte në Lissone rreth orës 15:50 është shtypur nga një pemë dhe ka ndërruar jetë në vend.
Kur ekipet e shpëtimit mbërritën në vendngjarje, nuk mundën të bënin asgjë për ta shpëtuar atë. Zjarrfikësit punuan për një kohë të gjatë për të nxjerrë trupin e ngecur poshtë bagazhit.
Në aeroportin e Malpensas, fluturimi Delta Dl 185 destinacion Nju Jork JFK është devijuar në aeroportin Fiumicino, “pas përballjes me kushte të pafavorshme të motit pas ngritjes”.
Avioni u ul pak para orës 14:00 në aeroportin romak në mënyrë të sigurt dhe pasagjerët zbarkuan normalisht. “Aeroplani pësoi disa dëmtime për shkak të motit të keq, i cili po shqyrtohet nga ekipi ynë lokal i mirëmbajtjes”, tha kompania.
Përmbytjet dhe stuhia e erës goditën edhe provincën e Vareses. Aktualisht në këtë rajon janë të angazhuar 50 zjarrfikës me dymbëdhjetë automjete, teksa zonat më të prekura janë në kufi me provincat e Milanos dhe Como.