Një ditë pasi u rizgjodh kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha duket se nuk ka humbur kohë duke nisur menjëherë aksionin politik. Pas një orë diskutimesh në mbledhjen me Kryesinë këtë të diel (30 korrik), u vendos mbledhja e Kuvendit Kombëtar të PD-së më 2 shtator.
Axhenda e kësaj mbledhje do të jetë ndryshime statutore, vendime organizative në përputhje me vendimet statutore dhe miratimi i agjendës politike të Partisë Demokratike.
Partia Demokratike bërim me dije se po ashtu, në mbledhjen e Kryesisë, u vendos që prioritet do të jetë lufta ndaj korrupsionit në nivel qendror dhe lokal. Shtatori do të sjellë edhe 2 nisma kundër korrupsionit nga Partia Demokratike: Kërkesën për hetim parlamentar të fondeve të IPARD dhe për ata që kanë përfituar statusin investitor strategjik.
Basha u takua sot edhe Kolegjin e Kryetarëve, ndërsa në mbledhjen e Kryesisë morën pjesë 13 nga 27 anëtarët e saj, teksa bojkotoi grupi i Gazmend Bardhit me rreth 10 deputetë. Në krah të Bashës qëndruan Enkelejd Alibeaj dhe Indrit Sefa.
Basha u rizgjodh në krye të PD-së në zgjedhjet e mbajtura të shtunën (29 korrik), ku mori 16196 vota, në krahasim me 1657 vota që mori kundërshtari i tij, Gjergji Hani. Në proces morën pjesë vetëm 8 nga 52 deputetë të zgjedhur në siglën e PD-së.
Ky është mandati i katërt i Bashës si kryetar, ndërsa edhe procesi i zgjedhjeve u shoqërua me përçarje brenda partisë. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhit mblodhi online Këshillin Kombëtar më 27 korrik dhe anuloi zgjedhjet e 29 korrikut.