Chelsea po kërkon një sulmues me profil ndryshe nga Nicolas Jackson dhe Christopher Nkunku.
Kështu u shpreh tekniku i “Bluve të Londrës”, Mauricio Pochettino në përfundim të turneut amerikan, duke veshur me dyshim qëndrimin e Armando Brojës në “Stamford Bridge”.
Pochettino tha se është shumë i lumtur me mënyrën se si Nkunku dhe Jackson po përshtaten në formacionin e tij te Chelsea, por pranoi se ai do të ishte “i hapur” për një tjetër shtesë në repartin e avancuar.
“Sot mendoj se jemi të kënaqur me paraqitjen dhe ata mund të plotësojnë njëri-tjetrin shumë mirë. Po, sigurisht, ndoshta mund të shtojmë ndonjë profil të ndryshëm që mund të na ndihmojnë, sigurisht që jemi të hapur. Jam shumë i lumtur me të dy dhe ne kemi lojtarë më të rinj si Mason sot dhe [Armando] Broja në Mbretërinë e Bashkuar që po rikuperohet nga dëmtimi i tij”, tha Pochettino.
Nkunku dhe Jackson kanë ndarë detyrat në sulm gjatë turneut të suksesshëm para-sezonal të klubit në SHBA, ku të dy gjetën rrugën e rrjetës. Për këtë arsye, tekniku argjentinas la të kuptohet se mund të jetë duke konsideruar huazimin e sulmuesit 21-vjeçar të kombëtares kuqezi gjatë kësaj vere.
“Ne duhet të analizojmë lëvizjet në javët e ardhshme derisa të mbyllet merkato e transferimeve. Ne do të marrim vendimin më të mirë për ekipin“, ishte deklarata e veshur me dyshim e Pochettino për fatin e Brojës.
Fatkeqësisht, Broja ka humbur të gjithë turneun parasezonal të Chelsea në SHBA për shkak të dëmtimit që pësoi në dhjetor, në sfidën miqësore me Aston Villa.
Teksa bomberi shqiptar vijon fazën e rehabilitimit në Cobham, stafi mjekësor i Chelsea e konsideroi shumë të rrezikshme përfshirjen e tij në ndonjë ndeshjeje gjatë kësaj faze.
Ka pasur raportime se ka pasur qëllim që ai të përfshihet në miqësoren finale në Amerikë kundër Borussia Dortmund të enjten mbrëma.
Megjithatë, stafi mjekësor është i prirur që ai të mos ndërmarrë ndonjë rrezik që mund ta shtyjë më tej rehabilitimin e plotë.