Konflikti për motive pronësie që çoi deri në përdorimin e sendeve të forta dhe armës së zjarrit në fshatin Hamallaj, “nisi nga familja Kaçi”. Kështu ka deklaruar ish-gardisti, Martin Nikolli pjesë e familjes që u përfshi në konfliktin që nisi për rrugën e kalimit.
Në dëshminë para uniformave blu ai ka thënë se e gjitha ka nisur kur babai i palës tjetër, Kaçi, i ka ofenduar. Më pas, sipas Martin Nikollit, gjërat u përkeqësuan dhe konflikti u agravua e për këtë shkak thotë se ka qëlluar në ajër për të ndaluar sherrin.
“Erdhi babai i palës tjetër dhe na ofendoi. Konflikti ka nisur në fillim nga ana e tyre. Më pas gjërat u përkeqësuan dhe nisi konflikti më i rëndë. Në fund kam qëlluar me armë në ajër. Qëllimi ka qenë për të ndaluar sherrin dhe konfliktin që kishte nisur. Nxora armën për të qëlluar në momentin që sherri po degradonte deri në përdorim të sendeve dhe objekteve të forta.”
Konflikti mes familjeve Kaçi dhe Nikolli mësohet se ka nisur disa muaj më parë dhe agravoi në përplasje fizike paraditen e së dielës ku në sherr u përfshinë 8 persona.
Mes tyre ishte dhe ish-gardisti, Martin Nikolli i cili vetëm disa orë më pasë u arrestua nga policia së bashku me të afërmin e tij, Alfred Nikolli gjithashtu pjesë e konfliktit. Të dy ata akuzohen për veprat penale “Kanosja”, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike”.