Federata e Volejbollit të Kosovës (FVK) përmes një komunikate zyrtare ka njoftuar se pavarësisht përpjekjeve të shumta për të garantuar hyrjen e Kombëtares së Kosovës U21 të femrave në Bosnje e Hercegovina, kjo gjë ka qenë e pamundur.
Bëhet e ditur se Ambasada e Bosnje e Hercegovinës në Shkup nuk ka qenë e aftë që të lëshojë vizat për ekipin e Kosovës. Pas këtij skandali, reagimi i FVK-së ka qenë i shpejtë, ku presidenti Bahri Gjinovci e ka njoftuar menjëherë Asociacionin Ballkanik të Volejbollit (BVA). Kjo e fundit këtë veprim të organizatorit e ka pritur me shqetësim.
Letër proteste Gjinovci i ka adresuar edhe te presidenti i CEV-it Aleksandar Boriçiç dhe te gjitha organizatat relevante të volejbollit. FVK ka kërkuar që Bosnjë e Hercegovinës ti merret e drejta për organizimin e kësaj gare.
“Pavarësisht përpjekjeve të FVK-së për ta përgatitur ekipin në një grumbullim disa javor, ndërmarrjes së të gjithë hapave të nevojshëm për sigurimin e vizave dhe të gjitha aspektet tjera, kjo është pamundësuar për shkak të qasjes refuzuese të autoriteteve në Brçko”, shkruhet në komunikatën e FVK-së.
Ndërkaq më poshtë i gjeni edhe disa nga fjalët e Gjinovcit në letrën e dërguar CEV-it.
“Kërkojmë nga Ju, si autoriteti më i lartë i volejbollit në Evropë, të merren masat që gara në Bosnjë e Hercegovinë, të anulohet, sepse me moslejimin e Kosovës, është thyer një nga kriteret bazë, ai i dhënies së mundësisë për pjesëmarrje të secilit shtet, pavarësisht origjinës, religjionit apo bindjeve politike. Ky rast demotivon talentet e rinj dhe ndikon hapur në dekurajimin e talenteve, që të ushtrojnë sportin e bukur të volejbollit”.