Shoqëria shqiptare është e etur për një akt drejtësie kundrejt politikanëve në këtë Shqipëri. Kjo etje është krejt e përligjur duke qenë se politikanët në këtë vend janë konsideruar të paprekshëm ose në rastet kur janë prekur janë gjykuar për një mushkonjë teksa zotëronin një deve. Dosje që janë mbyllur për të mos u rihapur më dhe një Reformë Drejtësie që një gjykatës a prokuror e përjashton nga sistemi në çastin që nuk justifikon dot pasurinë, por kurrsesi nuk ia sekuestron këtë të fundit. Prokurori ose gjykatësi mund të hapë zyrën e tij private ose të japë mësim në një prej universiteteve private në vend dhe njëkohësisht ta ketë të pacenuar pasurinë e tij. Që në fillesë të kësaj Reforme kemi një padrejtësi të toleruar nga e cila hamendësohet të lindë një drejtësi e munguar.
Flitet për arrestime. Flitet për drejtësi. Flitet se nuk duhet pritur shumë nga drejtësia pasi kjo e fundit nuk mund të veprojë me hapa të mëdha në një mjedis kaq të kriminalizuar. Flitet se duhet të mjaftohemi me atë që drejtësia po bën dhe të shprehemi me një trajtë të lartë mirënjohjeje për këtë të fundit.
Së fundmi nga aktiviteti i SPAK-ut në vend kemi një zv/kryeministër në arrati, i cili u shpall në kërkim ndërkombëtar pasi kish shkruar në fejsbukun e tij se do të kthehej në Shqipëri kur kjo e fundit të ishte e lirë.
Pra, kemi një marrëveshje të dukshme me SPAK-ut dhe të arratisurit. Thonë se arratia e Ahmetajt u tolerua se ky i fundit do të rrëfejë disa të vërteta tronditëse në ndihmë të drejtësisë. Kjo më duket një alibi e sajuar keq për të përligjur arratinë e një zv/kryeministri.
Pse them alibi e sajuar keq?! E them këtë sepse SPAK-u nuk ka nevojë për komunikimet private në Whatsup të Ahmetajt për të zbërthyer çështjen e inceneratorëve. Çështja e inceneratorëve mund të zbërthehet krejtësisht vetëm përmes shkresave institucionale, një kopje e të cilave gjenden në protokollin apo në arkivin e institucionit përkatës. Mjafton vullneti për t’i analizuar kronologjikisht këto shkresa dhe brenda një kohe të shkurtër nxirren personat përgjegjës për këtë çështje dhe faji përkatës.
Ndaj, Ahmetaj mund të jetë në arrati për të shijuar ndonjë koktej nën hijen e një gjethe palme, por kurrsesi për të bashkëpunuar me drejtësinë, pasi unë besoj fort se ai ka këmbyer heshtjen me arratinë. Dy janë marrëveshjet me drejtësinë në këtë vend: Hesht dhe arratisu ose bëj pak burg dhe nuk të preket pasuria.
Dje SPAK-u sekuestroi Inceneratorin e Tiranës. Kjo u pa nga një pjesë e madhe e opinionit publik si paradhoma e burgosjes së Veliajt. Ashtu qoftë, por nisur nga precedentët e SPAK-ut në raport me Veliajn kushdo ka të drejtën të ushtrojë skepticizmin përkatës mbi burgosjen e tij.
Personalisht kam shkruar çdo dite sloganin ” Erion Veliaj kandidat qelie, jo kandidat bashkie” gjatë kohës që ky i fundit kërcente dhe këndonte në fushatë dhe do të ishte një shpagim për të gjithë qytetaret e Tiranës burgosja e këtij të fundit.
A do të ndodhë burgosja e tij?! E dyshoj fort pasi nuk ka një akt drejtësie që paraprihet nga një akt padrejtësie. Thënë shkurt, jam skeptike për një drejtësi që lejon arratinë e një zv/kryeministri; por vendos drejtësinë te Veliaj.
Veliaj ka kërcënuar në emër te SPAK-ut dhe nje kryebashkiak që kërcënon me SPAK-un njësoj sikundër do të kërcënonte me qenin e shtëpisë një të huaj, më duket se ka një imunitet nga ky i fundit.
Veliaj në ligjëratë të drejtë është shprehur: Unë do t’i nxij jetën FSHF-së me prokurori dhe SPAK”.
Asokohe kjo deklaratë e kryebashkiakut nuk u komentua as nga ambasadorja amerikane Yuri Kim, që komentonte edhe motin në këtë vend dhe as nga SPAK-u që ishte reduktuar në një qen sulmi në gojën e kryebashkiakut.
Deklarata në fjalë kaloi u përligj me komentin e kryebashkiakut i cili ishte- Unë po bojsha muhabet çunash.”
Të gjithë jemi paraprakisht në një mendje kur themi se veprimi i SPAK-ut kundrejt inceneratorit të Tiranës është shumë i vonuar. SPAK-u ka pasur çdo provë dhe çdo indice për të vepruar më parë.
Lind pyetja; Pse kjo vonesë?! Unë besoj se pikërisht te vonesa e SPAK-ut për te vepruar gjendet edhe përgjigjja e vërtetë mbi “Drejtësinë e Reformuar në Shqipëri”
Unë besoj se te vonesa në fjalë qëndron edhe konflikti apo marrëveshja mes Regjisorit të Reformës në Drejtësi dhe kryebashkiakut Veliaj.
Post Scriptum- Qofsha e gabuar, por këtë zhvillim e shoh thjesht si një mosmarrëveshje mes Regjisorit të Reformës në Drejtësi dhe kryebashkiakut, por kurrsesi si një akt drejtësie të nje Drejtësie të Reformuar.