“Ujku i rekordeve”, i cilësuar i tillë nga ekspertët pasi kishte bërë një udhëtim prej reth 1900 kilometrash, nga kantoni i Graubünden në Zvicër deri në Hungari, është vrarë nga një fëmijë.
Udhëtimi i tij përmes majave të thepisura të Europës qendore shënoi migrimin më të gjatë të regjistruar për një ujk, por fatkeqësisht ai u qëllua me një armë gjahu nga një i mitur.
Ujku dy vjeçar që njihej si ekzemplari M237, që kaloi edhe malet e Tirolit të Jugut raportohet se është vrarë në prill në Hungarinë verilindore.
Tani, sipas mediave vendase, autoritetet kanë zbuluar se ai që qëlloi ishte një djalë 9-vjeçar, të cilit i ati i kishte besuar armën.
Historia e “ujkut të rekordeve” i kishte mahnitur të gjithë, pasi migrimi i tij zgjati nga qershori i vitit 2022 dhe u ndërpre përfundimisht në mars-prill të këtij viti.
Rugëtimi i tij është ndjekur nga afër nga kujdestarët e kafshëve në kantonin zviceran Grisons, të cilët e kishin pajisur kafshën me një GPS.
Ishte pikërisht ndërprerja e sinjaleve që alarmoi kujdestarët, të cilët humbën kontaktin me kafshën sapo ai mbërriti në qytetin Hidasnemeti, në kufirin hungarezo-sllovak, dhe 230 kilometra larg kryeqytetit Budapest.
Siç njoftoi televizioni publik hungarez MTV, autoritetet në bazë të provave të mbledhura besojnë se i mitur qëlloi dhe vrau ujkun, por kjo nuk është e dënueshme sipas ligjit hungarez.
Megjithatë më 2 gusht, në qytetin Nyiregyhaza, rreth 90 kilometra larg vendit ku u gjet pajisja GPS, policia arrestoi babanë e fëmijës dhe partnerin e tij të gjuetisë, të cilëve ai ia kishte besuar të birin armën e tij.
Të dy do të duhet të përgjigjen për krime kundër mbrojtjes së natyrës dhe se kanë vendosur në rrezik jetën e një të mituri.