Një grua nga Teksasi është arrestuar dhe akuzohet se ka kërcënuar me vrasje gjyqtaren që po mbikëqyr çështjen penale kundër ish-presidentit amerikan, Donald Trump.
Abigail Jo Shry, 43- vjeçe, dyshohet se telefonoi në gjykatën në Uashington DC më 5 gusht, duke përdoror sharje me karakter racor në mesazhin e saj, në adresë të gjyqtares së qarkut të SHBA-së, Tanya Chutkan.
Zonja Shry dyshohet se ka kërcënuar për të vrarë edhe një anëtare demokrate të Kongresit. Ajo pranoi se i kishte bërë thirrjet telefonike pasi hetuesit gjurmuan numrin e saj të telefonit, sipas një dokumenti gjyqësor.
Në telefonatë, zonja Shry dyshohet se i tha gjykatëses, e cila po mbikëqyr një rast konspiracioni zgjedhor kundër Trump: “Ti je në sytë tanë, ne duam të të vrasim”.
Prokurorët thonë se zonja Shry shtoi: “Nëse Trump nuk zgjidhet në 2024, ne do të vijmë t’ju vrasim.” Telefonuesja kërcënoi gjithashtu të gjithë demokratët në Uashington DC dhe komunitetin LGBT, sipas dosjes gjyqësore.
Ajo dyshohet se kërcënoi se do të vriste edhe kongresmenen Sheila Jackson Lee, një demokrate me ngjyrë nga Teksasi, e cila kandidon për kryebashkiake të Hjustonit.
Kur agjentët federalë vizituan shtëpinë e zonjës Shry në periferi të Hjustonit, tre ditë më vonë, ajo tha se nuk kishte ndërmend të shkonte në Uashington DC për të kryer kërcënimet e saj, sipas dosjes gjyqësore.
Por ajo dyshohet se ka shtuar se “nëse Sheila Jackson Lee vjen te Alvin, atëherë duhet të shqetësohet”.
Një ditë para telefonatës kërcënuese, Trump kishte postuar në platformën e tij të mediave sociale, Truth Social, me shkronja të mëdha: “Nëse më ndjek, unë do të vij pas teje!”.
Të premten e kaluar, gjykatësja Chutkan paralajmëroi në një seancë gjyqësore se të dyja palët duhet të shmangin çdo “deklaratë nxitëse” rreth çështjes.
Ndërkohë, mbështetësit e Trump kanë postuar detaje personale të anëtarëve të jurisë së madhe të Xhorxhias, të cilët votuan për ta paditur atë me akuzat për ndërhyrje në zgjedhje në fillim të kësaj jave.
Një raport nga një organizatë private investigative zbuloi se përdoruesit e mediave sociale kishin bërë thirrje për përdorim të dhunës ndaj tyre dhe Fani Willis – prokuror kryesor në çështjen kundër ish-presidentit.
Të hënën, në një aktakuzë prej 98 faqesh u zbulua pretendimi se zoti Trump “konspiroi në mënyrë të paligjshme” për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve dhe se ishte pjesë e një “organizate kriminale”.
Ai i mohon të gjitha akuzat. Zonja Willis i ka dhënë zotit Trump dhe 18 të pandehurve të tjerë mundësinë që të dorëzohen vullnetarisht jo më vonë se mesdita e 25 gushtit 2023.