Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mbërritur në Danimarkë pas vizitës së tij në Holandë.
Lajmin e kanë bërë të ditur mediat e huaja, sipas të cilave, ai u përshëndet në bazën ajrore Skrydstrup në Vojens nga kryeministrja Mette Frederiksen dhe princesha e kurorës Mary.
Kujtojmë se Danimarka dhe Holanda kanë rënë dakord t’i japin Ukrainës avionë luftarakë F16, pasi Shtetet e Bashkuara janë shprehur se nuk kanë kundërshti.
Ukraina nisi më herët një kundër-ofensivë ndaj trupave ruse në territorin e saj, por kishte mangësi të shumta në mbrojtjen ajrore.
Nga 24 shkurti i vitit të kaluar, me mijëra njerëz, civilë dhe ushtarakë, kanë humbur jetën pas nisjes së agresionit të pajustifikuar nga ana e Rusisë mbi fqinjin e saj.