Akademiku Artan Fuga ka komentuar vendimin e presidentit Bajram Begajt për të shpallur të vlefshëm ligjin në lidhje me zgjedhjet në Akademinë e Shkencave.
Fuga në ‘Facebook’ shkruan se presidenti “as nuk kreu detyrën e tij, as nuk ushtroi të drejtën e tij”, ndonëse ky ligj ishte një s’provë besimi por dështoi.
Reagimi i plotë:
Presidenti zgjodhi të veprojë duke mos vepruar!
- Bajram Begaj, President i Republikës, sot zgjodhi që të mos e kryejë detyrën e tij të ngarkuar nga Kushtetuta, për ta shpallur të vlefshëm ligjin e firmosur nga deputeti Petro Koçi për zgjedhjet në akademinë e shkencave, as ta ushtrojë të drejtën e tij për ta kthyer për rishikim këtë ligj në Kuvendin e Shqipërisë.
Pra, as kreu detyrën e Tij, as ushtroi të drejtën e Tij, por sipas asaj që i lejon neni absurd 84 i Kushtetutës, nuk bëri asgjë! Veproi me mosveprimin e tij! La të kalojë një ligj që nuk ka gjykuar se ishte një ligj i denjë, i drejtë, për ta shpallur! Ishte një sprovë besimi! Por, që dështoi. Do të kishte qenë shumë herë më e denjë dhe në përputhje me funksionin ta kishte shpallur me dekretimin e Tij! Do të ndihej që shteti, sido është, përsëri çdo funksion funksionon!
C’e do se!
Rrënqethëse!
Përsëri heshtje këtë radhë, si për ligjin për lejimin e kanabisit, për të drejtat e studentëve të mjekësisë. Në ditët në vazhdim do të vazhdojë një cikël shkrimesh për këtë heshtje të Presidentit, përse ndodhi, çfarë pasojash ka, si edhe për absurditetin e këtij neni të Kushtetutës që toleron mosveprimin në kryerjen e detyrës kushtetuese, pra që Presidenti i Republikës të shuajë në këto raste vetë funksionin e Presidentit, të sillet sikur të mos jetë!