Java e 23-të e kampionatit italian startoi me sfidën e zhvilluar në stadiumin e kryeqytetit, “Olimpico”, mes Lazios dhe Empolit, që u mbyll me fitoren 1-0 të skuadrës vendase
Bardhekaltrit e Simone Inzaghit vinin në këtë takim me mungesa në repartin e avancuar, teksa Immobile dhe Luis Alberto e panë ndeshjen nga tribuna.
Megjithatë fati i takimit u vendos në minutën e 42-të, kur në favor të Lazios u akordua një 11-metërsh, të cilin e mori përsipër ta ekzekutojë sulmuesi Caicedo, që e shndërroi në gol.
Me këtë fitore, Lazio arriti të ngjitet në vendin e katërt të renditjes, me 38 pikë, duke lënë pas Milanin, Romën dhe Atalantën, që do të luajnë në fundjavë ndeshjet përkatëse.
Vlen të evidentohet se titullarë në këtë sfidë ishin Thomas Strakosha e Valon Berisha për Lazion, por edhe mbrojtësi Frederik Veseli për Empolin.