nga Sokol Pepushaj
Historia jonë është një ekran i vogël dhe arenë gladiatorësh.
Mirë që i kemi të gjithë zyrtarët hajdutë e fodullë dhe diplomatët memecë e qorra, se ndryshe, do të kishim më pak lexues që binden se fjala e fortë që vazhdon të peshohet e modelohet në “kandarin” e Isaac Newton-it, ende nuk ka hyrë në ligjet lëvizëse të Altin Dumanit.
Dumani nuk peshon as fjalën e vet.
Kur u betua në Altarin e ndërthurjeve magjike për humbje vëmendjeje të padrejtësive shoqërore dhe shamatës mes ambasadores Yuri Kim e Bablokut, në krah kishte Arben Krajën që pasuritë e tij e kanë kokën më lart se Mali i Krajës.
Kur Dumani foli se edhe një pikë korrupsioni në gjuhën e tij, aty ku e ndjen dhe shikon vetëm ai, do të mjaftonte të presë të parën gjuhën e vet, lavdi Zotit që median e kishim pa gjuhë, pa dhëmbë, memece, qorre, krejt si sot.
Media memece është mirë me pasuritë komshi me pushtetarët, me përfitimet, prandaj ta themi, pse t’i drejtojë pyetje publike Bablokut për korrupsionin, inceneratorët, dosjen McGonigal, burgosjen në Francë dikur, “blerjen” e shërbimeve në sportelet e ambasadës amerikane për interesa politike, kullat e bixhozin e Olsi Ramës e Shkëlzen Berishës, floririn e vjedhur nga Ilir Meta etj?!
Media nuk ngacmon asnjë tastierë të trurit të trapëve.
Askush nuk i thotë Altin Dumanit, pse fole si prokuror kur hyre në zyrë, pse premtove se do ti kapësh hajdutët që fshati i ka zënë duke vjedhur, pse nuk shkon në Gji të Lalzit e Kodrën e Diellit, ku pasuria e bandave eklipson rrezet e pritshmërive e prangat e drejtësisë do të nxinin kyçet e të gjithë zabitëve të ushtrisë së hajdutëve dhe do të vendosnin presjet dhjetore krah peshave dhe balancave proceduriale të ekuinokseve të betimit të ambasadores Yuri Kim dhe vetë Dumanit para fshatarëve?!
Po Altin Dumani duket nuk “gabon” si Donald Lu.
Vetëm ambasadori Lu erdhi me hu, tredhi gjelat e sterilizoi pulat e politikës, foli për peshën e fjalës përpara se të njihej me Altin Dumanin, dhe po ashtu, para se Njutoni ta peshonte saktë forcën e gravitetit të shefit të SPAK-ut drejt Edi Ramës.
Para se ne të themi se ambasadori Donald Lu nuk gaboi, pasardhësit e tij me heshtjen shëmbull, na mësojnë se ata kanë të drejtë, jo ne që nuk ndjejmë fare dobësi të kërkojmë ndjesë, nëse i prekim në sedrën e infektuar nga korrupsioni deri në infinitin e logjikës budallenjtë dhe hajduti, që ende ndjehen mbretër.
Kur ambasadori Lu deklaroi se i njeh 4 Klanet Mafioze dhe 20 familjet kriminale që rrjepin e torturojnë shqiptarët, efekti i fjalës ishte i fortë, sa infektoi sistemin e memories historike.
Historia jonë është një ekran i vogël dhe arenë gladiatorësh.
Deklaratës “bombë” të ambasadorit Lu, ja hoqën siguresën Yuri Kim, Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta dhe Erion Veliaj, sa 4 Klanet Mafioze jo vetëm nuk i zë askush me gojë, thua se nuk u botuan në median e ambasadës, Facebook, por edhe ndikuan që deti të bëhet kos, sa bandat e zemëruara futën në xhep lugët “kap ç’të kapësh” dhe injektuan virusin antiamerikan të shoqërisë që jeton mes hipnozës e larg prognozës së programeve, për të mos e kapur esencën e kazanit e për ta derdhur si mbeturinë në gropën septike të SPAK-ut.
Po të kishte të drejtë Donald Lu dhe ne që shkruajmë përditë prej 30 e kusur vitesh me fakte e argumente kundër çdo mafieje qeveritare, sot shtetarët do ishin në burg e gjithë këto vila luksoze, motele e kështjella, pasuri e para, do të sekuestroheshin e pushtetarët do të qelbeshin nëpër qelitë e drejtësisë.
Prapë e përsëritim, nuk ngulim këmbë se e drejta është në anën tonë, por se po, mund edhe të themi se heshtja është flori sipas gojëdhënave të fshatarëve që në kohën e Njutonit Isak të matjeve të gravitetit dhe Batonëve të Haxhive të Hyqymetit dhe se, Altin Dumani nuk “gabon” si Donald Lu!