Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq (Vucic) dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të takohen më 14 shtator në Bruksel. Lajmi është konfirmuar nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, raporton RTK.
Gjatë kësaj jave, emisari evropian për dialogun Miroslav Lajçak ka zhvilluar takime të veçanta me dy liderët e Beogradit dhe Prishtinës, me qëllim përgatitjen e terrenit për mbajtjen e takimit të nivelit të lartë politik në shtator, për gjetjen e një rruge për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Takimi Kurti-Vuçiq do të jetë i pari, pas shpërthimit të protestave të dhunshme në muajin maj në veri të Kosovës, në lidhje me zgjedhjen e katër kryetarëve të Komunave në Leposaviç, Zubin-Potok, Zveçan dhe Mitrovicën e Veriut.
Kujtojmë se Kurti dhe Vuçiq në takimin e fundit që kanë zhvilluar së bashku më 2 maj, biseduan për procesin e normalizimit të marrëdhënieve, pak ditë para mbajtjes së zgjedhjeve në veri.