Radari i Sazanit, furnizimi i tij do të bëhet me një impiant fotovoltaik

albnews
By
1 Min Read

Radari i vendosur në ishullin e Sazanit parashikohet të furnizohet me energji nga një impianti fotovoltaik.

Në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik, është botuar objekti i një kontrate të Ministrisë së Mbrojtjes për çeljen e një procedure prokurimi. 

Sipas dokumenteve tenderi ka si qëllim hartimin e infrastrukturës së furnizimit me energji elektrike gjatë ditës nëpërmjet shfrytëzimit të energjisë diellore.

Në dokumente specifikohet se aktualisht konsumi mesatar i energjisë elektrike tek Radari është 5-7 kwh. 

Sipas Ministrisë ky projekt ka avantazhe ku së pari pozicioni gjeografik i zonës së Sazanit e bën një zonë shumë të favorshme për të shfrytëzuar ditët e shumta me diell për prodhimin e energjisë elektrike me një kosto shumë të ulët nga panelet diellore.

“Jetëgjatësia e madhe mbi 25 vjet e paneleve dhe nevoja shumë e vogël për mirëmbajtjen e bën këtë projekt shumë eficent dhe me leverdi” thuhet në dokument.

Punimet për këtë projekt parashikohet të zgjasin 5-7 javë. Fondi limit për këtë procedurë është llogaritur në 14.2 milionë lekë.

Share This Article