Gjithsej 18 persona u vranë dhe 15 të tjerë u plagosën pasi dy autobusë që transportonin pelegrinët shiitë u përplasën në provincën qendrore të Irakut, Salahudin, thanë burimet lokale.
Një nga autobusët që shkonte për në qytetin e shenjtë shiit të Samarrës, rreth 120 km në veri të kryeqytetit të Irakut, Bagdad, u përplas me autobusin tjetër që kthehej nga qyteti, tha një polici trafiku që kërkoi të mbetet anonim, duke shtuar se aksidenti ndodhi në rrugën kryesore pranë qytetit Balad, rreth 80 km në veri të Bagdadit.
Nga viktimat, 10 janë iranianë dhe dy janë irakianë. Pjesa tjetër e viktimave nuk janë identifikuar sepse kartat e tyre të identitetit nuk u gjetën, tha Hasnain Rashid, kreu i Spitalit Balad, duke shtuar se viktimat përfshijnë 15 burra dhe tre gra.
Të gjithë të plagosurit ishin iranianë, shtoi ai.
Aksidenti ka ndodhur si pasojë e shpejtësisë së madhe dhe humbjes së kontrollit të timonit nga njëri prej drejtuesve të mjetit, njofton policia.
Mijëra pelegrinë iranianë po shkojnë në qytetin e shenjtë shiit të Qerbelasë, rreth 110 km në jug të Bagdadit, për të përkujtuar ritualin fetar të Arbainit.
Arbaini është fundi i 40 ditëve zie për Imam Huseinin, nipin e Profetit Muhamed, i cili u vra në betejën e Qerbelasë në vitin 680 pas Krishtit.
Pelegrinët zakonisht vizitojnë faltoren Al-Askari në Samarra, midis vendeve të tjera të shenjta në Irak, si pjesë e turneut të tyre në Qerbela.