Kontrabandistët shqiptarë po shesin pasaporta të falsifikuara në story-t e Instagram-it që fshihen automatikisht pas 24 orësh dhe kjo bëhet për të shmangur zbulimin, shkruan mediat e njohur britanike “Telegraph”
Sipas një investigimi të medias britanike, bandat ofrojnë dhe sigurojnë pasaporta për 12,500 £ me foto që ngjajnë me emigrantin e paligjshëm ose kriminelin që dëshiron të udhëtojë nëpër Evropë dhe të hyjë në Mbretërinë e Bashkuar.
Ata pretendojnë se mund të anashkalojnë kontrollin biometrike duke përdorur pasaporta të vjetra që mund të kontrollohen vetëm manualisht.
Pasaportat e vendeve si Greqia, Rumania dhe Republika Çeke mendohet se janë vjedhur për t’i ngjasuar personit që banda kërkon të kontrabandojë .
“Bandat shqiptare reklamojnë shërbimet e tyre nëpërmjet një faqeje private në Instagram me etiketën “Passage to the UK” që ka 1600 ndjekës”, shkruan media britanike.
“12,500 paund për të hyrë në MB! Kjo reklamohet përmes story në Instagram, të cilat fshihen pas 24 orësh, në vend të një faqeje publike për të shmangur zbulimin dhe platformën që vepron për të mbyllur llogarinë. Instagram tha se kishte hequr llogarinë pasi u kontaktua nga The Telegraph.
Një gazetare e fshehtë që dërgoi një mesazh direkt tek operatorët e llogarisë iu tha se do të kushtonte 12,500 £ për person që ajo dhe i dashuri i saj të shkonin në MB.
“Shpenzimet e pasaportave dhe biletave të udhëtimit do të mbulohen nga ne. Do të paguani kur të mbërrini”, thanë ata.
Gazetarja pyeti: “Çfarë lloj pasaportash do të përdorni për ne?”
Ata u përgjigjën: “Varet se si dukesh. Varet nga fytyra juaj dhe kujt i ngjani. Por ky nuk është problem. Mund të përdorim pasaporta greke, rumune apo çeke.”
Postimet në instagram
“Italia në Londër me avionë. Udhëtimi i sigurt 100 për qind me njerëzit tanë në aeroporte. Pagesa vetëm kur të mbërrini në Londër. Kontaktoni. Vetëm njerëz seriozë.”
“Shërbimet për njerëzit që kanë probleme në Mbretërinë e Bashkuar (kërkohen nga policia). Nga Italia në Irlandë. Nga Irlanda në Londër.”
“Arritja në MB 100 për qind e sigurt në avion dhe për ata që janë dëbuar nga vendet e BE-së”.
Një tjetër ofronte ID dhe patentë, si dhe pasaporta.
Home Office kërkon veprim më të ashpër
Një zëdhënës i Home Office tha: “Ata që tentojnë të hyjnë në MB duke përdorur dokumente false do të përballen me pasojat e plota të ligjit. Prioriteti i Forcave Kufitare është ruajtja e sigurisë së kufirit në çdo kohë dhe oficerët tanë kanë në dispozicion një sërë mjetesh për të zbuluar mashtruesit.
“ Kompanitë e mediave sociale kanë përgjegjësinë për të hequr përmbajtjen që promovon dhe ndihmon në financimin e aktiviteteve të paligjshme dhe kriminale, të tilla si reklamat që premtojnë dokumente false ose kalime të paligjshme të kanalit.
“Këtë muaj, ne njoftuam një partneritet të ri me kompanitë e mediave sociale për të përshpejtuar veprimet për të trajtuar dhe hequr këtë lloj përmbajtjeje .”
Një zëdhënës i Meta-s , i cili zotëron Instagramin, tha: “Kontrabanda e njerëzve është e paligjshme dhe ku gjejmë përmbajtje që koordinon këtë aktivitet, e heqim atë nga platformat tona, siç kemi në këtë rast.