Pas përfundimit të mbledhjes ku morën pjesë 43 deputetë të opozitës, ndër to edhe kreu i PD-së së Rithemelimit, Sali Berisha, nënkryetari i Kuvendit, njëherësh edhe deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, deklaroi se në takim nuk u fol për përçarjen e PD-së, por për unifikimin e aksionit të opozitës në Kuvend.
Gjekmarkaj i ftuar në News24 tha se në këtë mbledhje është diskutuar për ndërtimin e një aksioni opozitar të përbashkët në Parlament.
“Në këtë takim nuk u fol asnjë nga temat që na ndajnë apo që kemi konsumuar prej dy vitesh. U fol në mënyrë ekskluzive vetëm për mënyrën se si mund të ndërtohet një aksion opozitar i përbashkët në Parlamentin e Shqipërisë.”
Gjekmarkaj u kujdes të theksonte që PD duhet ende të kërkojë një kryetar. Sipas tij PD është pa një lider në krye.
“Sot PD në optikën time është pa kryetar. Unë nuk njoh as Sali Berishën, as Lulzim Bashen si kryetar, mendoj se PD duhet ta kërkojë kryetarin. Duhet ta kërkojë nëpërmjet bashkimit. Sot ishte ‘A-ja’ në alfabetin e bashkimit politik të opozitës, sepse ishin dhe aleatët. Ishte një mbledhje e gjithë opozitës shqiptare. Mendoj se kishte detyrimin moral dhe politik të ishte në atë sallë. Shumica e deputetëve ishin prezence. Nuk ishin prezent grupi i Lulzim Bashës”, tha Gjekmarkaj