Policia e Kosovës bëri të ditur se ka zbuluar dhe konfiskuar të martën një sasi të madhe armatimi në Zveçan. Sipas një njoftimi për shtyp, policia, në bashkëpunim edhe me organe tjera të sigurisë, kanë hetuar një informacion nën dyshimin se në një shtëpi në Zveçan ka armë dhe pajisje të tjera ushtarake.
“Gjatë kontrollit të shtëpisë, policia ka gjetur dhe konfiskuar: Katër armë AK 47, tridhjetë e katër karikatorë të armës AK 47, një mijë e pesëqind e dyzet e gjashtë fishekë të kalibrave të ndryshëm, tetë granata dore, një minë anti-këmbësorie, dy gazë-maska, dy çanta ushtarake, një shok-bombë, dy fishekë-zjarre, dy optika të armës, një thikë ushtarake, një maskë ushtarake, dy rripa për mbajtje të municionit të gjuetisë, pesë çanta të vogla ushtarake, një rrip i pajisjeve ushtarake, një këllëf pistolete dhe pajisje për pastrim të armatimit.“- thuhet në njoftimin për shtyp të policisë së Kosovës.
Sipas saj, rasti do të trajtohet nga hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Drejtorisë së Krimeve të Rënda.
“Polica mbetet e përkushtuar në ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët dhe vënien para drejtësisë të gjithë atyre që përfshihen në veprimtari penale”,- thuhet në njoftimin e policisë.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Nëpërmjet një postimi në X (Twitter) Kurti ka bërë të ditur se kontrolli nga ana e policisë është kryer në prezencë të KFOR-it.
“Një tjetër fitore për sundimin e ligjit dhe sigurinë. Sot Policia e Kosovës në prezencë të KFOR-it, bastisi një depo armësh në Zveçan që përdorej për të kontrabanduar armë në Kosovë për t’ua shpërndarë bandave të dhunshme. U konfiskuan armë të tipit ushtarak si pushkë automatike, granata dore dhe eksplozivë”,- shkruan Kurti.