Një punonjës i shërbimit të inteligjencës së jashtme të Gjermanisë dhe një i njohur i tij, janë akuzuar për tradhti pasi dyshohet se i kanë kaluar dokumente sekrete Rusisë. Kjo u bë e ditur nga prokurorët të premten.
Oficeri i inteligjencës, i cili është identifikuar vetëm si Karsten L. (Carsten L) në përputhje me rregullat gjermane të privatësisë, u arrestua në Berlin më 21 dhjetor të vitit të kaluar. I dyshuari i dytë, një biznesmen gjerman i vetëpunësuar i identifikuar si Artuer E. (Arthur E) u arrestua në aeroportin e Mynihut më 22 janar teksa mbërriti nga Shtetet e Bashkuara.
Shërbimi Federal i Inteligjencës i Gjermanisë, ose BND, tha në kohën e arrestimit hetimet e brendshme vërtetuan informacionet për një rast të mundshëm tradhtie.
Prokurorët federalë thanë të premten se Carsten L., ishte njohur me Arthur E., në maj të 2021.
Ky i fundit ishte në kontakt me një biznesmen me bazë në Rusi, i lidhur me FSB-në, agjencinë e brendshme të inteligjencës ruse. Të tre dyshohet se u takuan në shtator 2022 dhe komplotuan për të siguruar informacione të ndjeshme të BND për FSB-në.
Karsten L., ofroi gjithsej nëntë dokumente në lidhje me një projekt mbi mbledhjen e inteligjencës teknike në dy raste midis mesit të shtatorit dhe fillimit të tetorit të vitit të kaluar, duke i printuar ose duke i fotografuar ato në ekranin e kompjuterit të tij, thanë prokurorët në një deklaratë.
Më pas ai ia dha materialin Artur E., i cili fotografoi printimet, i çoi të dhënat e digjitalizuara në Moskë, i printoi dhe ia dorëzoi FSB-së në takimet me oficerët rusë, shtuan ata.
Në shtator 2022, një oficer i FSB-së i dha Artur E., një listë me “pyetje me interes të veçantë” dhe Karsten L., mori përgjigjet, thanë prokurorët. Ata shtuan se Karsten L., mori të paktën 450,000 euro (482,000 dollarë) nga FSB dhe Artur E., mori të paktën 400,000 euro në Moskë në nëntor 2022.
Pas marrjes së parave, Karsten L., organizoi që Artur E., të ikte fshehurazi nga doganat gjermane pasi ai u ul për arsye të supozuara profesionale, sipas prokurorëve.
Dy burrat u akuzuan në një gjykatë në Berlin me dy akuza për “kryerje të përbashkët të tradhtisë veçanërisht të rëndë”, thanë prokurorët. Ata shtuan se informacioni i kaluar në FSB ishte i klasifikuar si “sekret shtetëror”.
Gjermania është bërë një nga furnizuesit kryesorë të ndihmës ushtarake dhe financiare për Ukrainën që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë në shkurt 2022.
Në një rast të mëparshëm që përfshinte një agjent të dyshuar të dyfishtë në agjenci, një ish-punonjës i BND në vitin 2016 u dënua për shkelje të ligjit të sekreteve zyrtare të Gjermanisë dhe u dënua me tetë vjet burg për sigurimin e informacionit të klasifikuar, kryesisht për CIA-n. Apnews