Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, gjatë një konference shtypi të premten tha se ka folur me serbët e Kosovës që ata të jenë të gatshëm për dialog, si dhe për çështjen e mbajtjes së zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës.
Pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje është një nga kërkesat që BE dhe SHBA kanë bërë ndaj Serbisë, si pjesë e planit të bashkësisë ndërkombëtare për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës.
“Kemi biseduar me përfaqësuesit e serbëve që të pranojnë dialogun për mbajtjen e zgjedhjeve në veri. Është detyrim për ne. Ne gjithmonë e kemi konsideruar dialogun si mënyrën e vetme për të zgjidhur problemet. Por nga sa shihet problemet vetëm po akumulohen”,- tha Vuçiq.
Pjesë e komenteve të tij ka qenë edhe afati i vënë nga qeveria e Kosovës, për largimin e strukturave paralele të Serbisë nga një ndërtesë komunale në Mitrovicë të Veriut.
“Diskutohet që serbët të lënë vatrat e tyre shekullore, t’ua lenë ndërtesat dhe pronën e tyre, atyre të cilëve nuk e kanë pasur kurrë pronë të tyre”,- komentoi Vuçiq.
Ai përmendi edhe deklaratën e djeshme të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, për dërgimin e Njësisë Speciale në veri të Kosovës.
“Prishtina ka dashur të dëshmojë se pushteti i saj nuk ka fund. Edhe përkundër mesazheve të djeshme të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për policinë në veri, ata kanë hyrë në fabrikën në Zubin Potok. Ata mund të bëjnë çfarë të duan, pavarësisht se çfarë ka folur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s”,- u shpreh Vuçiq.