Policia e Durrësit ka konstatuar dhe goditur të mërkurën një rast të futjes së mallrave të kontrabanduara në vendin tonë, me qëllim tregtimin e tyre me pakicë.
Një 30- vjeçar, i cili kishte magazinuar në banesë, mijëra produkte kozmetike të kontrabanduara, është arrestuar nga ana e uniformave blu. Atij i janë sekuestruar edhe produktet e dyshuara të futura kontrabandë.
Sipas policisë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, në vijim të punës hetimore dhe operacionale për konstatimin dhe goditjen e krimeve ekonomike, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës evidentuan një rast të futjes së mallrave të kontrabanduara në vendin tonë.
“Për këtë rast u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi B. N., 30 vjeç, banues në Durrës. Në një magazinë në lagjen nr. 14, pjesë e banesës së 30-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën 1830 produkte kozmetike (kremra dhe vajra për përdorim në plazh) të dyshuara të kontrabanduara, për shkak se nuk ishin të shoqëruara me faturat përkatëse doganore apo të origjinës.“- thuhet në njoftimin për shtyp të policisë.
Këto produkte, sipas policisë, që dyshohet se ishin magazinuar me qëllim tregtimin me pakicë, në dyqane të ndryshme.