Polemikat kanë përfshirë Mbretërinë e Bashkuar pas zbulimit të planit të kryeministrit Rishi Sunak për të devijuar nga zotimet për arritjen e objektivit për zero emetime brenda vitit 2050, të marra përsipër në samitet ndërkombëtare nisur nga alarmi mbi ndryshimet e klimës.
Vetë kryeministri ka në plan mbajtjen e një fjalimi për të publikuar detajet e ndryshimit të strategjisë, që përfshin shtyrjen e ndalimit përfundimtar të prodhimit të automjeteve me benzinë apo dizel në Britaninë e Madhe përtej vitit 2030, afat i caktuar gjatë lidershipit të Boris Johnson në samitin e klimës në Glasgou, në vitin 2021.
Sipas BBC, që publikoi e para lajmin për ndryshimin e strategjisë nga kreu i ekzekutivit, Sunak synon ta shtyjë afatin në fjalë deri në vitin 2035.
Në një deklaratë me shkrim drejtuar rrjetit informativ britanik, Sunak ka bërë me dije se i qëndron objektivit për zero emetime brenda 2050-s, por ka nënvizuar se do ta realizojë këtë në mënyrë më të organizuar dhe më graduale.
Fjalët e tij janë kritikuar jo vetëm nga opozita laburistë dhe eksponentë të konservatorëve, por nga vetë organizata e prodhuesve britanikë të automjeteve, të cilët kanë deklaruar se ndryshimi i strategjisë ose bërja e hapave pas krijon pasiguri në treg.
“Biznesi ynë ka nevojë për tre gjëra nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar: ambicie, angazhim dhe koherencë. Lehtësimi i afatit të skadimit të vitit 2030 i minon që të treja kriteret”, thuhet në një deklaratë të filialit britanik të kompanisë “Ford”.