Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mbërriti në Kapitol të enjten mes pikëpyetjesh të ngritura nga republikanët nëse Kongresi duhet të miratojë një raund të ri ndihme për vendin e tij, pavarësisht një përparimi të ngadaltë kundër pushtuesve rusë.
Zoti Zelensky udhëtoi drejt Uashingtonit pasi u përpoq të sigurojë mbështetjen ndërkombëtare në Kombet e Bashkuara. Ai do të takohet gjithashtu me Presidentin Joe Biden dhe udhëheqësit ushtarakë në Pentagon, si dhe pritet të mbajë një fjalim në mbrëmje në muzeun e Arkivave Kombëtare.
Zoti Zelensky po takohet me udhëheqësit e Dhomës së Përfaqësuesve që drejtohet nga republikanët si dhe përfaqësues të komisionit të Sigurisë Kombëtare të kësaj dhome, përpara një sesioni me dyer të mbyllura me përfaqësuesit e Senatit, që kontrollohet nga demokratët.
Presidenti Biden dhe shumica e udhëheqësve të Kongresit vazhdojnë ende të mbështesin ndihmën për Ukrainën, megjithatë zoti Zelensky pritet të përballet me qëndrime më ashpra sesa kur vizitoi Uashingtonin, nëntë muaj më parë.
Ndërsa kundërofensiva ushtarake e Ukrainës vazhdon dhe Kongresi është përfshirë nga debatet mbi buxhetin duke nxitur shqetësimet mbi një mbyllje të mundshme të qeverisë, një numër në rritje i republikanëve kanë vënë në pikëpyetje miliarda dollarë që Uashingtoni i ka dërguar Kievit për nevoja ushtarake, ekonomike dhe humanitare.
Që nga fillimi i sulmit të Rusisë në shkurt 2022, Shtetet e Bashkuara kanë dërguar rreth 113 miliardë dollarë ndihmë humanitare dhe sigurie për Ukrainën.
Të mërkurën Presidenti Zelensky kërkoi ndihmë financiare edhe nga disa prej miliarderëve më të njohur të Amerikës, që operojnë në fusha të tilla si financat, teknologjia dhe sportet.