India ka ndaluar lëshimin e vizave për qytetarët kanadezë, në mes të një mosmarrëveshjeje në rritje për vrasjen e një separatisti të sektit sik në tokën kanadeze.
India tha se lëvizja e përkohshme ishte për shkak të “kërcënimeve të sigurisë” që pengonin punën në misionet e saj në Kanada.
Tensionet u ndezën këtë javë pasi kryeministri kanadez, Justin Trudeau tha se India mund të ketë qenë pas vrasjes së 18 qershorit. Por theksoi se nuk po kërkonte të provokonte Indinë me akuzat.
“Nuk ka dyshim që India është një vend me rëndësi në rritje dhe një vend me të cilin duhet të vazhdojmë të punojmë“, tha Trudeau.
India e ka hedhur poshtë me zemërim akuzën duke e quajtur atë “absurde”.
Marrëdhëniet midis vendeve, partnerë kryesorë të tregtisë dhe sigurisë, dhe aleatëve të SHBA-së, janë tensionuar për muaj të tërë. Analistët thonë se tani janë në nivelin më të ulët historik.
Qeveria e Indisë e bëri të qartë menjëherë se pezullimi i shërbimeve të vizave “zbatohet edhe për kanadezët në një vend të tretë”.
“Ka pasur kërcënime ndaj komisionit tonë të lartë të ambasadës dhe konsullatave në Kanada. Kjo ka ndërprerë funksionimin e tyre normal. Prandaj ata nuk janë në gjendje të përpunojnë përkohësisht aplikimet për viza“, tha një zëdhënës i ministrisë së punëve të jashtme në Delhi.
Të dy vendet kanë lidhje të ngushta historike. Kanadaja ka 1.4 milion njerëz me origjinë indiane, sipas regjistrimit të 2021. India gjithashtu dërgon numrin më të madh të studentëve ndërkombëtarë në Kanada, ku në vitin 2022, ata përbënin 40% të totalit të studentëve jashtë shtetit.
Sipas statistikave të qeverisë indiane, rreth 80.000 turistë kanadezë vizituan Indinë në vitin 2021./ BBC